“Lufta e Tretë Botërore është afër”, G7: T’i marrim Rusisë 300 miliardë dollarë asete

Nga Erjon Dervishi
18 Prill 2024, 23:25 | Bota

Ministrat e grupimit të shteteve më të industrializuara të botës kanë paralajmëruar se Ukraina rrezikon të mposhtet nga Rusia nëse nuk merr më shumë mbrojtje ajrore. Dy vite pas pushtimit, Ukraina po përballet me një mungesë municionesh, ndërsa mosdakordësia brenda Capitol Hill dhe Bashkimit Europian për dërgimin e armëve në Ukrainë vijon.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, u bëri thirrje vendeve të BE-së të dorëzojnë sistemet e mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën: “Sistemi elektrik i Ukrainës do të shkatërrohet dhe asnjë vend nuk mund të luftojë pa pasur energji elektrike në shtëpi, në fabrika, në internet dhe për gjithçka. Ne kemi Patriotët. Ne kemi sisteme antiraketë. Ne duhet t'i marrim ata nga kazermat tona, për çdo rast, dhe t'i dërgojmë në Ukrainë, dhe unë jam i sigurt se do ta bëjmë këtë, por duhet të mbarojmë shpejt”.

Nga ana e tij, kryeministri i Ukrainës ka paralajmëruar botën se mund të jetë në prag të një Lufte të Tretë Botërore nëse Kievi nuk merr ndihmat që kërkon. “Nëse nuk e mbrojmë, Ukraina do të bjerë. E gjithë kjo mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore”, theksoi Denis Shmyhal në një intervistë për BBC.

Sakaq, anëtarët e G7 po konsiderojnë përdorimin e afro 300 miliardë dollarëve në asetet e ngrira ruse si kolateral për të dhënë kredi për Ukrainën, ndërsa bisedimet vijojnë edhe për opsione të tjera për t’i ardhur në ndihmë Kievit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos