Izraeli po e “vret urinë qëllimisht” për palestinezët në Rripin e Gazës. Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për gazetën britanike The Guardian, Michael Fakhri, raportuesi special i OKB-së për të drejtën e ushqimit.
“Privimi i qëllimshëm i njerëzve nga ushqimi është padyshim një krim lufte", shtoi ai. "Nga këndvështrimi im, si ekspert i të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara, kjo është një situatë gjenocidi".
Në qytetin Rafah, ku Izraeli aktualisht po fokuson sulmet ushtarake, 5% e fëmijëve nën dy vjeç janë të kequshqyer në mënyrë akute.
Në të gjithë Gazën, 95% e familjeve po kufizojnë vaktet dhe madhësinë e porcionit. Megjithatë, edhe ato pak ushqime që njerëzit kanë u mungojnë lëndët ushqyese thelbësore, që njerëzve u nevojiten të rriten shëndetshëm.
Frikën për rritjen e urisë masive në Rripin e Gazë se dha edhe Presidenti Amerikan, Joe Biden, i cili para Kongresit Amerikan kërkoi një paketë ndihme humanitare për Gazën, por në të njëjtën kohë edhe një paketë shtesë për të riforcuar mbrojtjen ajrore të Izraelit.
Optimizmi i Joe Biden për ndonjë armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, nuk përkon me ngjarjet në terren, ku ushtria izraelite po kryen sulme të shpeshta ndaj të zhvendosurve, dhe bazave ushtarake të Hezbollahut në Jemen.
Zyrtarët izraelitë, duke folur në kushte anonimiteti, i thanë Reuters se komentet e Biden erdhën si befasi dhe nuk ishin bërë në koordinim me udhëheqjen e vendit. Hamasi po vazhdonte të nxiste “kërkesa të tepërta”, thanë ata, çka ka shtyrë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu të shpalosë një vizion për Gazën pa Autoritetin Palestinez.
Benjamin Netanyahu tha të martën se ai i kishte rezistuar vazhdimisht presionit për t'i dhënë fund luftës në Gaza para kohe dhe se ky qëndrim ka mbështetjen popullore të SHBA-së që "do të na ndihmojë të vazhdojmë fushatën deri në fitoren totale" mbi Hamasin.
Në një deklaratë e cila vjen si përgjigje e tij ndaj komenteve të presidentit amerikan Joe Biden që paralajmëroi kundër humbjes së mbështetjes ndërkombëtare nga qeveria e djathtë e Izraelit, Netanyahu vuri në dukje një sondazh që zbuloi se 82% e amerikanëve mbështesin Izraelin ndaj Hamasit. (A2 Televizion)