Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, i cili kërkoi një armëpushim humanitar në Gaza, e cila sipas tij po kthehet në një varrezë fëmijësh.
Diplomati Cohen i quajti të turpshme deklaratat e shefit të OKB, duke i rikujtuar atij se akualisht 30 fëmijë po mbahen peng, teksa shtoi se problemi është Hamasi dhe jo Izraeli
“Guterres, turp për ty! Mbi 30 fëmijë, duke përfshirë një foshnjë 9-muajshe që panë prindërit e tyre të vrarë para syve, po mbahen kundër dëshirës së tyre në Gaza! Problemi në Gaza është Hamasi, jo aktivitetet e Izraelit për ta eliminuar atë”, shkruan Cohen.
Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shpreh se Gaza po kthehet në një varrezë për fëmijët. Ai shtoi se Hamas po i përdor ata si mburoja njerëzore dhe ripërsëriti thirrjen për një armëpushim humanitar. (A2 Televizion)