Netanyahu paralajmëron: Nuk do të ketë as Hamas dhe as Fatah në Gaza

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2023, 16:45 | Bota

Netanyahu paralajmëron: Nuk do të ketë as Hamas dhe as Fatah

“Gaza nuk do të jetë një Hamastan apo edhe një Fatahstan”. Kështu u shpreh kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu, duke iu referuar të ardhmes së Rripit të Gazës dhe “ndryshimeve të opinioneve me SHBA-në” për këtë çështje.

Në komentet që duket se synojnë presidentin amerikan Joe Biden, kryeministri Benjamin Netanyahu thotë se ai nuk do të lejojë që Izraeli të "përsëritë gabimet e Oslos", duke iu referuar Marrëveshjes së Oslos në vitet 1990, të konsideruara gjerësisht në Izrael si një dështim.

“Nuk do ta lejoj Izraelin të përsërisë gabimin e Oslos, nuk do të lejoj që ata që edukojnë terrorin, ata që e mbështesin, ata që e financojnë atë, të hyjnë në Gaza pas sakrificës së madhe të bërë nga luftëtarët tanë”, shtoi ai.

Këto deklarata vijnë pasi Biden tha mbrëmë se ai nuk pajtohet me Netanyahun edhe pse ai mbështet Izraelin dhe luftën e tij kundër Hamasit. Kryeministri izraelit pranon se ka mosmarrëveshje mbi vizionin për Gazën e pasluftës.

“Unë e vlerësoj thellësisht mbështetjen amerikane për shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve tanë. Pas dialogut intensiv me presidentin Biden dhe njerëzit e tij, ne morëm mbështetje të plotë për operacionin tokësor dhe për frenimin e presionit ndërkombëtar për t'i dhënë fund luftës. Po, ka një mosmarrëveshje kur bëhet fjalë për 'të nesërmen e Hamasit' dhe shpresoj se do të arrijmë një marrëveshje edhe këtu. Dua të sqaroj pozicionin tim: nuk do ta lejoj Izraelin të përsërisë gabimin e Oslos”.

Netanyahu është kritikuar sot për komentet që krahasojnë Oslon me sulmin e Hamasit të 7 tetorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos