Turqia i “vë vizën” Netanyahu-t: Tërheq ambasadorin nga Tel Avivi, krimet e luftës do të dërgohen në Hagë

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2023, 14:46 | Bota

Turqia i “vë vizën” Netanyahu-t: Tërheq ambasadorin

Turqia ka tërhequr ambasadorin e saj në Tel Aviv për shkak të sulmeve të vazhdueshme në Gaza.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Turqisë tha se Sakir Ozkan Torunlar u tërhoq “duke pasur parasysh tragjedinë humanitare që po ndodh në Gaza, dhe thirrjet për armëpushim që kanë rënë në vesh të shurdhët.”

Vendimi vjen pasi Izraeli tërhoqi të dërguarit e tij në Turqi muajin e kaluar për të rivlerësuar lidhjet mes dy vendeve pasi Erdogan i cilësoi militantët e Hamasit si luftëtarë të lirisë.

Nga ana tjetër, presidenti turk dërgoi mesazhe në të gjitha drejtimet pas kthimit nga Kazakistani, ku mori pjesë në samitin e dhjetë të Organizatës së Shteteve Turke.

“Netanyahu nuk është më një person që mund të konsiderohet në asnjë lloj mënyre bashkëbiseduesi ynë, ne e fshimë dhe e hodhëm tutje,” deklaroi Erdogan duke e bërë kryeministrin izraelit përgjegjës për situatën e krijuar në Gaza.

Po ashtu, ai theksoi se Ankaraja do të bëjë gjithçka për ta çuar çështjen e Gazës në Hagë.

“Ne do të mbështesim iniciativat që do t’i dërgojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës nga Izraeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Autoritetet tona përkatëse, veçanërisht Ministria jonë e Jashtme, do ta kryejnë këtë punë”, shtoi lideri turk.

Megjithatë, ndërprerje të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve nuk do të ketë. Erdogan sqaroi se ministri i Jashtëm Hakan Fidan dhe kreun e shërbimeve sekrete, Ibrahim Kalin, do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet diplomatike.

Turqia, e cila ka përshkallëzuar ashpër kritikat e saj ndaj Izraelit për krizën humanitare në Gaza, mbështet një zgjidhje me dy shtete dhe pret anëtarët e Hamasit, të cilin nuk e sheh si një organizatë terroriste, ndryshe nga SHBA, Britania dhe vende të tjera të Perëndimit.

Ankaraja ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe ka ofruar ngritjen e një sistemi për ta garantuar atë.

Përpara luftës Izrael-Hamas, Turqia po punonte për të riparuar marrëdhëniet me Izraelin pas disa vitesh të vështira mes dy vendeve.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni