Cait Conley e nisi fushatën e saj për Kongres me një seri videosh të realizuara me celular, ku flet për koston e jetesës, shëndetësinë dhe iniciativa të tjera politike, ndërsa ngre pesha në garazhin e saj.
Ajo e quan serinë “Reps and Real Talk”, një referencë për identitetin e dyfishtë që ish-oficerja e operacioneve speciale të Ushtrisë Amerikane shpreson se do ta çojë drejt fitores në zgjedhjet e vitit 2026 dhe do ta përmbysë distriktin e saj kongresional në Nju Jork, një nga më të kontestuarit politikisht në vend, nga republikan në demokrat: “Si dikush që ka kaluar 16 vite në ushtri si oficere aktive, duke shërbyer në zona të shumta lufte, kam udhëhequr burra dhe gra në shërbim të këtij vendi, në mbrojtje të Amerikës dhe Kushtetutës. Ne do të fokusohemi tek rezultatet. Kjo është një vazhdimësi e shërbimit dhe e të bërit gjënë e duhur për këtë vend që e duam kaq shumë, duke u ofruar amerikanëve të ardhmen që meritojnë dhe duke u siguruar që ditët më të mira të Amerikës janë ende përpara nesh”.
Conley është pjesë e “Hellcats”, një grup prej katër grash demokrate me të kaluar ushtarake që garojnë për Kongres në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit të ardhshëm. Demokratëve u duhen tre vende republikane për të siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, çka do t’u jepte fuqinë për të penguar axhendën legjislative të Trumpit dhe për të hetuar administratën e tij.
Hellcats – një emër që i bën homazh grave të para në marinë, gjatë Luftës së Parë Botërore – përfshin një instruktore të pensionuar të marinsave, një pilote helikopteri të Marinës, një kapitene të ish-marinsave dhe një ish-oficere të operacioneve speciale të Ushtrisë. Ato po bëjnë fushatë si bllok që nga fillimi, të frymëzuara nga i ashtuquajturi “badass caucus”, një grup prej pesë grash demokrate me përvojë në sigurinë kombëtare që përmbysën vende republikane në vitin 2018.
Ndryshe nga ai grup, i cili u vetë-brandua pasi mori detyrën, Hellcats po e përqafojnë identitetin e tyre që herët. Emrin e krijuan në pranverë, pas muajsh komunikimi në një grup mesazhesh. Ato përballen me sfida të ndryshme. Conley, 40 vjeç, duhet të fitojë një garë të mbipopulluar paraprake në qershor në distriktin e saj periferik të Nju Jorkut, përpara se të përballet me kongresmenin Mike Lawler, i cili mposhti një demokrat në detyrë në vitin 2022.
Joanna Mendoza, një marinse në pension që garon në distriktin e 6-të të Arizonës, mbetet pas kongresmenit republikan Juan Ciscomani në mbledhjen e fondeve. Ndërsa Maura Sullivan, e cila humbi në një garë të ngjeshur paraprake në New Hampshire në vitin 2018, pas zhvendosjes në atë shtet një vit më parë, duhet të kapërcejë etiketimin si “e ardhur nga jashtë”, që e ndoqi në fushatën e saj të mëparshme.
Në javët e para të fushatës, secila prej kandidateve ka përqafuar një mesazh të ngjashëm: trajnimi ushtarak dhe etosi i shërbimit i bëjnë ato veçanërisht të përshtatshme për të thyer bllokadat dhe mosfunksionimin e Uashingtonit: “Pasi lashë ushtrinë dhe hoqa uniformën, betimi i shërbimit nuk skadon. Është një angazhim për gjithë jetën dhe, duke parë çfarë po ndodh me vendin tonë sot, po i përgjigjem sërish thirrjes për të shërbyer. Dhe si nënë e një fëmije të moshës shkollore, një djali 10-vjeçar plot energji, fillova të mendoj se si mund të duket e ardhmja për të, duke pare gjendjen e kombit tonë dhe kjo më frikësoi vërtet”.
Strategët e fushatave thonë se e kaluara e kandidateve mund t’i ndihmojë ato të kapërcejnë ndarjet partiake dhe të neutralizojnë stereotipet gjinore që shpesh kanë ndjekur gratë kandidate, duke dëshmuar forcë pa sakrifikuar afërsinë me votuesit. Ata përmendin suksesin e Mikie Sherrill, ish-pilote helikopteri e Marinës, dhe Abigail Spanberger, ish-oficere e CIA-s, të cilat fituan gara të vështira kongresionale në Nju Xhersi dhe Virxhinia në vitin 2018.
Të dyja u zgjodhën guvernatore të shteteve të tyre muajin e kaluar. Tre nga katër kandidatët kanë fëmijë, gjë që, sipas strategëve, i ndihmon ato të duken më të afërta me publikun dhe të jenë mesazhere më efektive, veçanërisht kur flasin për përballueshmërinë e jetesës.
Faqja e fushatës së Rebecca Bennett, ish-pilote helikopteri e Marinës që garon në distriktin e 7-të të Nju Xhersit, shfaq një foto të saj përpara një helikopteri në ceremoninë e promovimit. Ajo mban në krahë vajzën e saj foshnje: “Të qenit veteran, për mua, do të thotë t'i shërbej këtij vendi dhe ta vë vendin mbi partinë, dhe për mua, do të thotë të jem në gjendje të them se kam shërbyer në disa nga mjediset më sfiduese që ekzistojnë në këtë tokë. Kam udhëhequr misione në mes të oqeanit, në mes të natës, ku nuk ka asnjë hapësirë për gabim, dhe e kam kryer punën çdo herë. Gjithashtu, jam nënë e dy fëmijëve dhe po i rris vajzat e mia në këtë distrikt, dhe më e vogla është në çerdhe, më e madhja është në shkollë publike dhe i kuptoj sfidat me të cilat po përballemi në këtë vend sepse edhe familja ime po përballet me to dhe kjo po më lejon vërtet të lidhem me njerëz në të gjithë distriktin”.
Edhe Partia Republikane ka një histori të fundit të mbështetjes së grave kandidate me përvojë ushtarake dhe të inteligjencës kombëtare, përfshirë përfaqësuesen e Floridës, Anna Paulina Luna, veterane e Forcave Ajrore, dhe senatoren e Ajovës Joni Ernst, nënkolonele në pension e Rezervës së Ushtrisë. Republikanët kanë pasur prej kohësh avantazh te votuesit veteranë. Një sondazh i Pew Research Center në vitin 2024 tregoi se 63% e veteranëve identifikohen ose priren nga Partia Republikane, ndërsa 35% janë demokratë ose priren nga demokratët.
Megjithatë, në këto zgjedhje, Hellcats besojnë se mund të shfrytëzojnë politikat e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth ndaj grave në ushtri për të fituar mbështetjen e veteranëve. Këto përfshijnë vendimin e Hegseth për të shpërndarë një komitet që jepte rekomandime për mirëqenien dhe trajtimin e grave ushtarake, si dhe anulimin e një programi që synonte rritjen e rolit të grave në sektorët e sigurisë kombëtare.
Në Arizona, Mendoza po bën fushatë duke u fokusuar në uljen e kostove për familjet, forcimin e sigurisë kombëtare dhe rikthimin e stabilitetit në zyrat publike. Ajo thekson “udhëheqjen në shërbim”, duke e krahasuar besimin që trupat u japin komandantëve të tyre me besimin që votuesit u japin zyrtarëve të zgjedhur.
Debbie Walsh, Drejtoreshë e Qendrës për Gratë Amerikane dhe Politikën, u shpreh: “Kur je dikush që ka shërbyer në ushtri, ka shërbyer në luftë, nën stresin e betejës, në situata në Afganistan, Irak apo pika të tjera të nxehta të botës, është shumë e vështirë të thuash: ‘Nuk jam i sigurt nëse janë mjaftueshëm të forte apo të vendosur’,” Kjo sjell menjëherë kredencialet e lidershipit, forcës, vendosmërisë dhe aftësisë për të marrë vendime të vështira në rrethana të vështira.”
Kongresmeni demokrat Jason Crow nga Kolorado, veteran dhe bashkë-drejtues i përpjekjeve për rekrutim të Komitetit Kombëtar Demokrat për Fushatat Kongresionale, i përshkroi kandidatet si “luftëtare të ashpra”, të përshtatshme për t’u përballur me sulmet e administratës Trump. (A2 Televizion)