Pluhuri i Saharasë pushton Athinën

Nga A2 CNN
24 Prill 2024, 14:38 | Bota

Një re e dendur pluhuri, e ardhur nga Saharaja ka mbuluar Athinën dhe qytete të tjera greke të martën. Ky është rasti më i rëndë që ka prekur vendin që nga viti 2018.

Një mjegull e verdhë në portokalli mbuloi disa rajone të vendit pas ditëve me erëra të forta nga jugu, duke kufizuar dukshmërinë dhe duke nxitur paralajmërime nga autoritetet për rreziqet të frymëmarrjes.

“Është një nga episodet më serioze të përqendrimeve të pluhurit dhe rërës nga Saharaja që nga data 21-22 mars 2018, kur retë pushtuan ishullin e Kretës në veçanti,” tha Kostas Lagouvardos, drejtor i kërkimeve rreth motit në Observatorin e Athinës.

Greqia ka nisur që të preket nga retë e pluhurit të Saharasë që nga fundi i marsit dhe në fillim të prillit. Pluhuri mbuloi gjithashtu edhe pjesë të Zvicrës dhe Francës jugore.

Autoritetet paralajmëruan se përqendrimet e pluhurit mund të zvogëlojnë rrezet e diellit dhe dukshmërinë, ndërsa rrisin përqendrimet e grimcave të imta të ndotjes, duke paraqitur kështu rreziqe për njerëzit me probleme shëndetësore.

Saharaja lëshon 60 deri në 200 milionë ton pluhur mineral në vit. E teksa grimcat më të mëdha kthehen me shpejtësi në tokë, më të voglat mund të udhëtojnë mijëra kilometra, duke arritur potencialisht në të gjithë Evropën .

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi