Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shtyrë vizitën e tij në Arabinë Saudite të planifikuar për të mërkurën. Vendimi i Zelensky vjen për faktin se Ukraina nuk ishte e ftuar në tryezën e takimit mes delegacionit rus dhe atij amerikan, shkruan A2.
Reagimin e tij Zelensky e bëri nga Turqia ku zhvilloi një takim zyrtar me Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
“Mund të flisni për çdo gjë, por asnjë vendim nuk mund të merret pa Ukrainën se si t'i jepet fund luftës në Ukrainë. Ne nuk ishim të ftuar në këtë takim – takimi SHBA-Rusi në Arabinë Saudite – ishte një surprizë për ne, si dhe për shumë njerëz. Më intereson se çfarë mendojnë partnerët tanë për ne. Ne jemi plotësisht të sinqertë dhe të hapur. Nuk dua asnjë rastësi: prandaj nuk do të shkoj në Arabinë Saudite. Ne kontaktuam partnerët tanë në Arabinë Saudite. Ne ramë dakord që të kem një vizitë zyrtare më 10 mars. Presim delegacionin amerikan në Kiev”, tha Zelensky.
Po ashtu, Zelensky shtoi me bindje tashmë se SHBA nuk e dëshiron Ukrainën pjesë të Aleancës së Atlantikut të Veriut: “Ne e dimë se SHBA dhe disa partnerë evropianë nuk e mbështesin anëtarësimin tonë në NATO. Mendoj se kjo është dëshira e madhe e Rusisë dhe përkon me këtë rezultat”.
Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, Erdogan tha se integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës janë të padiskutueshëm në sytë e Ankarasë. Turqia do të ishte një vend i përshtatshëm për çdo bisedim të mundshëm paqeje që përfshin Rusinë, tha ai.
Sakaq, Franca planifikon të presë një samit të dytë për Ukrainën dhe sigurinë evropiane, këtë herë me pjesëmarrjen e vendeve të tjera evropiane që nuk ishin të pranishme si dhe Kanadasë. Këtë e raporton The Guardian, duke cituar atë që burimet diplomatike i kanë zbuluar Reuters. Vendet e ftuara do të jenë Norvegjia, Kanadaja, Lituania, Estonia, Letonia, Republika Çeke, Greqia, Finlanda, Rumania, Suedia dhe Belgjika. (A2 Televizion)