Pasagjerët tregojnë tmerrin pas përmbysjes së avionit gjatë uljes

Nga Xhevahir Qardaku
18 Shkurt 2025, 17:59 | Bota

“Sapo u ulëm, avioni jonë u përplas, u kthye përmbys.”

Një avion i mbushur plot i kompanisë Delta u përplas në aeroportin e Torontos në Kanada, duke përfunduar pa krahët, i kthyer përmbys dhe në zjarr, shkruan A2.

Peter Goelz, ekspert aviacioni, u shpreh për CNN: “Është diçka e jashtëzakonshme që të gjithë njerëzit shpëtuan.”

Të paktën 18 persona mbetën të lënduar sipas drejtuesve të aeroportit. Mrekullisht, asnjë jetë nuk u humb në avionin e nisur nga Minesota.

Deborah Flint, Presidente e Aeroportit të Torontos, theksoi: “Kjo ka ndodhur nga ndërhyrja e shpejtë dhe heroike e profesionistëve tanë.”

Të gjithë, 76 pasagjerët dhe 4 anëtarët e ekuipazhit, u evakuan nga avioni i kompanisë Delta. Një prej tyre tregon tmerrin e përjetuar: “Përplasja ishte shumë e fortë, sikur u goditëm në tokë, dhe avioni shkoi anash. Dhe besoj se ne rrëshqitëm nga ana jonë dhe pastaj u përmbysëm. Kur ndaluam, ishte si një top zjarri i madh nga ana e majtë e avionit, dhe përfunduam me kokë poshtë. Ne u përpoqëm të dilnim nga atje sa më shpejt që të ishte e mundur dhe menjëherë pas kësaj mbarova xhirimet e videos dhe pati një shpërthim tjetër”.

Ekspertët e sigurisë thonë se suksesi në ndërhyrjen e parë erdhi ngaqë gjithçka u bë mirë. Teksa hetuesit punojnë për të kuptuar se si ka ndodhur ky incident, analistët tregojnë detaje që bënë të mundur sigurinë e udhëtarëve.

David Soucie, ekspert sigurie, shpjegoi për CNN: “Ulëset 16G që janë vendosur në avion shumë vite më parë, penguan ndarjen e sediljeve gjatë këtij aksidenti, duke sjellë shpëtimin e udhëtarëve. Një gjë tjetër që ndihmoi në shpëtimin e udhëtarëve ishte se bulonat e thyerjes ishin në krahë. Pasi avioni fillon të rrotullohet ashtu, nëse këto krahë nuk thyhen në gjysmë, atëherë shkaktojnë vdekje”.

Erëra të forta kanë fryrë gjithë kohën në Toronto. Aeroporti kishte publikuar dhe një thirrje lidhur me kushtet e këqija të motit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos