Asnjë surprizë në primaret republikane në shtetin amerikan të Iowa. Donald Trump ka arritur një fitore dërrmuese ndaj rivalëve të tij, duke ia bërë thuajse të sigurt rrugën drejt kandidimit zyrtar për Shtëpinë e Bardhë.
Një “ortek” suksesi, i cili me tejkalimin e 50% të konsensusit, dërgon një mesazh të drejtëpërdrejtë dhe shqetësues për Presidentin Joe Biden në funksion të votimit të 5 nëntorit. Në mesazhin e parë pas rezultatit, Trump tha se ndihej i nderuar dhe i gjallëruar nga fitorja dhe riktheu premtimet e vjetra elektorale: “Ne do ta vendosim Amerikën të parën. Do ta bëjmë Amerikën madhështore, sërish dhe sërish. Ju jeni të turpëruar nga ajo që po ndodh. E gjithë bota po na përqesh dhe ju dëshironi që vendi ynë të kthehet siç ishte. Ju e doni Amerikën. Dëshironi që ne të jemi përsëri të mrekullueshëm”.
Premtoi gjithashtu të mbyllte kufijtë për të penguar, siç tha ai, hyrjen e terroristëve në Shtetet e Bashkuara: “Do të bëjmë stërvitje, shumë stërvitje. Do të mbyllim kufirin, pasi aktualisht përballemi me një pushtim. Po na pushtojnë miliona e miliona njerëz që po futen në vendin tonë. Kjo është diçka shumë e keqe, madje e tmerrshme. Po na vijnë të burgosur dhe të dalë nga çmendina. Gjithashtu po futen në Amerikë shumë terroristë”.
Ron DeSantis projektohet si rivali kryesor i tij brenda partisë, me 21% të votave, ndërsa Nikki Haley u rendit e treta, me 19% të preferencave. Fitorja në zgjedhjet paraprake të republikanëve në Iowa e bën Donald Trumpin “kandidatin e preferuar”, tha Presidenti Joe Biden, duke komentuar rezultatet.
“Donald Trump është zyrtarisht kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe tani duhet të punojmë edhe më shumë”, thuhet në një email dërguar votuesve në orët e fundit. Fushata e Biden paralajmëroi gjithashtu për “sulme të ulëta dhe gënjeshtra të pafundme” që do të vinin pas emërimit të Trump. (A2 Televizion)