Putini nuk e ndal hakmarrjen, rreth 100 raketa e dronë mbi Ukrainë

Nga Rosalba Bejdo
2 Janar 2024, 16:46 | Bota

Viti i ri ka nisur mes bombash për popullin ukrainas. Raketat ruse goditën qytetet më të mëdha në vend, duke shkaktuar 4 viktima dhe dhjetëra të plagosur pasi presidenti Vladimir Putin u zotua të intensifikojë sulmet.

Në Kiev, të paktën një person mbeti i vrarë dhe mbi 30 të tjerë morën lëndime teksa një sërë godinash u rrafshuan si rezultat i sulmeve të Rusisë. Dy viktima të tjera u raportuan në rajonin e gjerë të Kievit.

Bombardimet shënjestruan edhe qytetin lindor të Kharkiv ku flitet për 2 të vdekur dhe 44 të plagosur.

Të dashur ukrainas, më 2 janar 2024 patëm sërish sulme nga rusët jo njerëzorë. Ata përdorën gati 100 raketa të llojeve të ndryshme. Të paktën 70 u rrëzuan, 60 prej të cilave në zonën e Kievit. Sulme brutale pati edhe në Harkiv".

Volodymyr Zelensky - Presidenti i Ukrainës

Sulmet vijnë në vazhdën e intensifikimit të fushatës ruse, e cila javën e kaluar ndërmori bombardimet më të rënda ajrore në një ditë, që u morën jetën të paktën 39personave.

Forcat ukrainase u kundërpërgjigjën me një sulm në qytetin kufitar rustë Belgorod ditën e shtunë, ku mbetën të vrarë të paktën 25 vetë dhe u plagosën më shumë se 100. Shefi i Kremlinit u zotua se sulmi i Kievit nuk do të kalonte pa u ndëshkuar, dhe sipas autoriteteve në Ukrainë që prej së dielës Moska ka lëshuar 170 dronë dhe dhjetëra raketa mes të cilëve hipersonike dhe kruz.

Në vigjilje të vitit të ri, 6 civilë u vranë si pasojë e sulmeve ruse, në qytete të ndryshme ukrainase. Forcat ajrore bënë me dije se kishin rrëzuar 35 dronë të Rusisë mbrëmjen e së hënës. Por Rusia kishte sulmuar më pas me bombarduesit strategjik.

Intensifikimi i fushatës së agresionit, ka alarmuar edhe Poloninë fqinje, e cila tha se kishte mobilizuar 4 avionë lufte F-16 për të siguruar hapësirën e vetë ajrore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos