Raportohet një rast i murtajës në Oregon

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2024, 07:20 | Bota

Raportohet një rast i murtajës në Oregon

Një banor i Oregonit është diagnostikuar me murtajë bubonike, që dyshohet se është infektuar nga macja e tij shtëpiake.

Burrit të infektuar dhe atyre me të cilët ra në kontakt u janë dhënë mjekime, thanë zyrtarët lokalë të shëndetësisë, sipas të cilëve, njerëzit në komunitet nuk besohet të jenë në rrezik. Terapi pati edhe për macen, por ajo nuk i mbijetoi trajtimit.

Ky është rasti i parë i murtajës bubonike në Oregon që nga viti 2015, sipas autoritetit shëndetësor të shtetit, dhe murtaja është "e rrallë" në shtet.

"Për fat të mirë, rasti u identifikua dhe u trajtua në fazat e tij të hershme. Asnjë rast shtesë i murtajës nuk është shfaqur gjatë hetimit të sëmundjes ngjitëse", thanë zyrtarët shëndetësorë në njoftim.

Sipas Autoritetit Shëndetësor të Oregonit, murtaja përhapet te njerëzit ose kafshët përmes një pickimi nga një plesht i infektuar ose nga kontakti me një kafshë të sëmurë me sëmundjen.

Simptomat e murtajës zakonisht fillojnë te njerëzit dy deri në tetë ditë pas ekspozimit ndaj një kafshe ose pleshti të infektuar, sipas autoritetit shëndetësor.

Simptomat mund të përfshijnë një fillim të papritur të etheve, të përziera, dobësi, të dridhura, dhimbje muskujsh dhe/ose nyje limfatike dukshëm të fryra, tha autoriteti shëndetësor shtetëror.

Për të parandaluar përhapjen e murtajës, Shërbimet Shëndetësore të Qarkut Deschutes u kërkuan banorëve të shmangin çdo kontakt me brejtësit dhe pleshtat e tyre të mundshëm dhe të mos prekin kurrë brejtësit e sëmurë, të lënduar ose të ngordhur.

Banorët gjithashtu nuk duhet të lejojnë që kafshët shtëpiake t'u afrohen brejtësve të sëmurë ose të ngordhur ose të eksplorojnë strofullat e brejtësve, thanë zyrtarët shëndetësorë të qarkut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos