Ukraina dhe aleatët e saj thuhet se po vlerësojnë një kompromis të mundshëm që do të përfshinte hyrjen e Ukrainës në NATO në këmbim të një zgjidhjeje diplomatike për territoret e pushtuara nga Rusia. Kështu raporton Financial Times.
Diplomatët perëndimorë dhe një numër në rritje i zyrtarëve ukrainas do të ishin vërtet të prirur të besonin se garancitë e rëndësishme të sigurisë mund të përbëjnë bazën e një zgjidhjeje të negociuar në të cilën Rusia do të mbajë kontrollin “de fakto, por jo de jure” mbi të gjithë ose një pjesë të territorit ukrainas të cilin aktualisht e ka pushtuar.
Në të njëjtën kohë, nënvizohet se, për sa i përket hyrjes së Kievit në Aleancë, mbetet skepticizmi Amerikan, që I druhen aktivizimit të nenit 5 të NATO-s me pranimin e Ukrainës përpara përfundimit të luftës.
Por presidenti Volodymyr Zelensky, ka hedhur poshtë planin në fjalë duke nënvizuar se një paqe e qëndrueshme në Ukrainë është e mundur vetëm në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe pa asnjë shkëmbim sovraniteti mbi territoret.
Por menjëherë kanë ardhur disa sulme të fuqishme nga Rusia. Presidenti ukrainas, ndërkohë, ka njoftuar se do të paraqesë “planin e tij të fitores” në samitin e Ramstein më 12 tetor, ku takohen vendet që furnizojnë me armë Kievin. “Ne do të paraqesim planin e fitores: hapa të qartë dhe konkretë drejt një përfundimi të drejtë të luftës, vendosmëria e partnerëve tanë dhe forcimi i Ukrainës janë ato që mund të ndalojnë agresionin rus,” shkroi Zelensky në X, duke shtuar se takimi i 25-të i Ramsteinit do të jetë i pari që do të zhvillohet në nivelin e liderëve.
Zelensky ia prezantoi planin e tij presidentit amerikan Joe Biden në Uashington javën e kaluar. Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por dihet se plani përfshin anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe furnizimin me raketa me rreze të gjatë për të goditur brenda Rusisë. (A2 Televizion)