Më pak se dy muaj para zgjedhjeve të Parlamentit Europian, Belgjika bën më dije se po heton rrjete pro-ruse që po përpiqen të ndikojnë votimin.
Kryeministri Alexander De Croo paralajmëroi se synimi i Moskës është të sjellë kandidatë pro rusë në Parlamentin Europian, të cilët do të dobësonin mbështetjen për Ukrainën.
Qeveria çeke ka bërë me dijë së fundmi se kishte shkatërruar një rrjet pro-Kremlinit. Sipas agjencive të inteligjencës në Pragë dhe Poloni, Moska po financonte ëebsajtin, Zëri i Europës, për të përhapur propagandë dhe për të kanalizuar paratë tek politikanët pro Rusisë në Europë.
“Shërbimet belge të inteligjencëskanë konfirmuar ekzistencën e rrjeteve të ndërhyrjes pro-ruse me aktivitete në disa vende europiane dhe po ashtu këtu në Belgjikë. Sipas shërbimeve tona të inteligjencës objektivat e Moskës janë të qartë: Të ndihmojë në zgjedhjen e kandidatëve më pro rusë në parlament për të fuqizuar narrativën pro Moskës”, u shpreh kryeministri De Croo.
Ai shpjegoi se autoritetet belge kishin nisur hetimet, por nuk përmendi emra të personave të dyshuar për marrjen e parave nga Rusia.
Një numër politikanësh të së djathtës ekstreme në Europë shihen si mbështetës të Rusisë. Raportimet çeke kanë sugjeruar se media Zëri i Europës kishte paguar politikanë nga Gjermania, Franca, Polonia, Belgjika, Holanda dhe Hungaria, në këmbim të deklaratave proruse. (A2 Televizion)