SHBA do paguajë një ‘çmim të lartë’, Koreja e Veriut kundër stërvitjes ushtarake Seul-Washington

Nga Xhevahir Qardaku
5 Mars 2024, 16:21 | Bota

Koreja e Veriut ka kërcënuar Uashingtonin dhe Seulin se do të paguajnë një “çmim të lartë” për shkak të stërvitjeve të mëdha ushtarake që këto vende nisën gjatë kësaj jave, duke u bërë thirrje që të ndalojnë “stërvitjet e luftës”.

Pheniani e ka shpallur Korenë e Jugut si “armiken kryesore”, ndërkohë që vendi hoqi dorë nga bashkimi i dy Koreve, duke u zotuar për luftë nëse do të shkelet një centimetër tokë e Veriut. Uashingtoni dhe Seuli kanë nisur stërvitjet e tyre vjetore ushtarake të hënën. Në stërvitjet e këtij viti marrin pjesë numër më i madh i trupave krahasuar me vitin 2023.

Këto stërvitje kanë për synim që të forcohet përgatitja në përgjigje ndaj kërcënimeve bërthamore të Veriut, kanë thënë dy shtetet. Stërvitjet kanë për qëllim kryesisht neutralizimin e kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut, duke përfshirë "identifikimin dhe goditjen" e raketave të lundrimit, për të cilat Pheniani kishte treguar se mund të mbanin koka bërthamore, tha Shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut javën e kaluar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Veriut u bëri thirrje Uashingtonit dhe Seulit që të ndalin stërvitjet “e pamatura” dhe “të luftës”.

Ushtria e Phenianit “dënon fuqishëm stërvitjet e pamatura ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut dhe i paralajmëron ashpër që të ndalin çdo lëvizje që mund të shkaktojë provokim të mëtejmë dhe paqëndrueshmëri”, tha zëdhënësi përmes deklaratës, Reuters.

A2 CNN Livestream

Dita jonë