SHBA mbështet Kievin! 400 milionë dollarë armatime për ushtrinë ukrainase

Nga Erjon Dervishi
13 Mars 2024, 10:50 | Bota

SHBA-ja pritet të shpallë një paketë të re ndihme ushtarake për Kievin me vlerë 400 milionë dollarë. Dy zyrtarë të lartë amerikanë thanë për Bloomberg dhe Reuters se kjo është alternativa e parë për këtë muaj që zëvendëson fondin e madh të mbështetjes për Kievin të bllokuar nga Republikanët në Kongres.

Një nga zyrtarët tha se financimi për këtë paketë është realizuar nga kreditë e rimbursuara në Pentagon për blerjet e fundit. Ushtria amerikane, ka bërë blerje të mëdha municionesh dhe automjetesh për të rimbushur rezervat e dërguara në Ukrainë.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, një aleat i Trump, ka refuzuar deri më tani të thërrasë një votim mbi një projektligj që do të siguronte 60 miliardë dollarë më shumë për Ukrainën.

Udhëheqësit e agjencive të inteligjencës amerikane u kërkuan urgjentisht anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve që të miratojnë ndihmën shtesë ushtarake për Ukrainën, duke thënë se kjo jo vetëm që do të nxiste Kievin ndërsa lufton Rusinë, por do të dekurajonte agresionin kinez.

Ukraina e cila i ka jetike furnizimet me armatime, i bënë thirrje Berlinit me anë të ambasadorit të saj atje Oleksii Makeiev, që t'i dorëzojë Ukrainës raketat e lundrimit Taurus. “Sistemet e armëve me rreze të gjatë mund të na ndihmojnë të godasim depot ruse të municionit dhe rrugët e shpërndarjes”, citohet të ketë thënë ambasadori ukrainas në Berlin.

Përveç Shteteve të Bashkuara, vendet e Bashkimit Evropian do të bien dakord për një paketë shtesë prej 5 miliardë eurosh, për një fond që përdoret për financimin e dërgesave ushtarake në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos