SHBA nuk i përkulet Putinit: Do të mbrojmë çdo aleat të NATO, deklarata e Trump joamerikane

Nga Rosalba Bejdo
14 Shkurt 2024, 11:15 | Bota

Të turpshme dhe jo amerikane! Kështu e cilësoi presidenti Joe Biden deklaratën e sfiduesit të tij të mundshëm në zgjedhjet e këtij viti, Donald Trump, se do të inkurajonte Rusinë të sulmonte çdo shtet të NATO-s që nuk përmbush detyrimet financiare. Në një shpërthim të fortë kundër republikanit, tha se asnjë president tjetër në historinë amerikane nuk ishte përkulur para një diktatori rus.

“Vetëm pak ditë më herët, Trump e ftoi Putinin të pushtonte disa prej aleatëve tanë të NATO-s. A e imagjinoni dot?! Një ish-president që bën një deklaratë të tillë. E gjithë bota e dëgjoi dhe më e keqja është se ai e ka seriozisht. Asnjë president tjetër në histori nuk i është përkulur një diktatori rus. Unë nuk do ta bëj kurrë. Për hir të Zotit, është e turpshme. Është e rrezikshme, është jo amerikane”, tha Biden.

Ai shtoi më tej se pohime të tillë vinin në pah urgjencën për të miratuar paketën 95 miliardë dollarëshe të ndihmave për aleatët amerikanë. Projektligji mori dritën jeshile në senat, por fati i tij varet tani në dhomën e përfaqësuesve. Sipas kreut të shtëpisë së Bardhë, dështimi për të miratuar paketën e ndihmave, që përfshin 60 miliardë dollarë për Ukrainën, do të jetë një fitore për Putinin.

“Mbështetja e këtij projektligji nënkupton kundërvënie ndaj Putinit. Kundërshtimi i tij u shërben interesave Putinit. Nëse nuk e ndalim oreksin e Putinit për pushtet dhe kontroll mbi Ukrainën, ai nuk do të ndalet vetëm në Ukrainë”.

Biden u zotua se për sa kohë që ai do të jetë president, nëse Putin sulmon një aleat, Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s.

A2 CNN Livestream

Dita jonë