Emigrimi masiv nga Meksika është bërë nga politikat e dobëta të ndjekura nga zyrtari i lartë i kufirit i presidentit demokrat, Joe Biden. Kjo është akuza e ngritur me një votim të ngushtë nga Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, e kontrolluar nga republikanët.
Me një votim 214 pro dhe vetëm një më pak, 213 kundër, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dy nene të fajësimit duke akuzuar Sekretarin e Sigurisë Kombëtare Alehandro Majorkas (Alejandro Mayorkas) për moszbatimin e ligjeve të emigracionit në SHBA, të cilat republikanët argumentojnë se çuan në flukse të larta migrantësh përtej kufirit SHBA-Meksikë. Ata e fajësojnë Mayorkas dhe për deklarata të rreme në Kongres.
Ky votim erdhi një javë pasi një votim i ngjashëm dështoi në një humbje legjislative për kryetarin Mike Johnson. Përfaqësuesi republikan, Steve Scalise, i cili kishte marrë trajtim për kancerin, nuk ishte i pranishëm në votimin e javës së kaluar, por u kthye në Uashington këtë javë, duke siguruar një votë vendimtare.
Megjithatë, hapi i radhës është senati, i cili ka shumë pak gjasa të votojë për të rrëzuar Mayorkas, pasi ka shumicën demokrate.
Një numër shumë i lartë emigrantësh kanë kaluar ilegalisht kufirin nga Meksika që kur Biden mori detyrën në vitin 2021 dhe ish-presidenti Donald Trump e ka bërë atë një fokus kryesor të fushatës së tij kundër Biden.
Mayorkas ka thënë se nuk mban përgjegjësi për situatën në kufi, duke e fajësuar një sistem të parregullt të emigracionit të SHBA-së që Kongresi nuk ka qenë në gjendje ta rregullojë.
Votimi i së martës vjen një javë pasi republikanët e linjës së ashpër në Senat, të nxitur nga Trump, mposhtën një marrëveshje dypartiake për të adresuar sigurinë kufitare që do të kishte qenë ndryshimi më gjithëpërfshirës i politikës së sigurisë kufitare në dekada, sipas mbështetësve të saj, përfshirë udhëheqësin republikan të Senatit Miç MekKonell. (A2 Televizion)