“SHBA-të po pushtohen nga tymi”, Trump reagon ashpër, akuza Kanadasë për neglizhencë

Nga A2 CNN
17 Korrik 2026, 23:08 | Bota

“SHBA-të po pushtohen nga tymi”, Trump reagon ashpër,

Vatrat e zjarreve që kanë shpërthyer në Kanada po përhapin sasi të mëdha tymi në të gjithë Amerikën e Veriut, duke përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në disa nga qytetet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj situatës, duke deklaruar se SHBA-të po “pushtohen panevojshëm nga ajri i ndotur dhe i pashëndetshëm”, ndërsa akuzoi Kanadanë për “neglizhencë të qëllimshme” në menaxhimin e zjarreve.

Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë shtuar për shkak të ndikimit të tymit në territorin amerikan. Më herët, kryeministri i Ontarios, Doug Ford, iu përgjigj kritikave të ligjvënësve amerikanë nga Michigani, duke thënë se në vend të ankesave, SHBA-të duhet të ofrojnë ndihmë për përballimin e emergjencës. “Ndoshta ajo që duhet të bëni në vend që të ankoheni është të dërgoni mbështetje”, deklaroi Ford.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po zhvillon takime joformale me zyrtarë të FIFA-s dhe institucione të tjera lidhur me shqetësimet për finalen e Kupës së Botës, që do të zhvillohet të dielën pranë Nju-Jorkut. Reja e dendur e tymit ka ngritur pikëpyetje për kushtet dhe ndikimin e mundshëm në organizimin e eventit.

Sipas të dhënave më të fundit, Detroiti, Çikago, Uashingtoni dhe Nju Jorku renditen ndër qytetet me cilësinë më të keqe të ajrit në botë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos