Gjermania njoftoi të enjten se do t’u japë para të mbijetuarve të Holokaustit që jetojnë në Izrael, për t’i ndihmuar që të tejkalojnë pasojat e sulmit terrorist të Hamasit, më 7 tetor të vitit të kaluar. Sipas Deutsche Welle, që citon burimet shtetërore gjermane, në total do të dërgohen 25 milionë euro.
Sipas grupimeve hebreje, në Izrael jetojnë sot 113 mijë të mbijetuar të Holokaustit, ose gjenocidit të kryer nga Gjermania naziste ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas “Claims Conference”, një organizatë me seli në Nju-Jork që punon për dëmshpërblimin e të mbijetuarve të Holokaustit, secili prej tyre do të marrë një pagesë prej 220 eurosh.
“Shumë të mbijetuar të Holokaustit e vuajtën veçanërisht shumë sulmin e Hamsit”, tha një zëdhënëse e Ministrisë gjermane të Financave. Ajo shtoi se ndihma ndaj kësaj kategoria ishte një “veprim solidariteti dhe mbështetjeje nga Gjermania drejt Izraelit në këtë periudhë stresuese dhe të jashtëzakonshme për të mbijetuarit e Holokaustit”.
Presidenti i Claims Conference, Gideon Taylor, e lavdëroi vendimin e parë, duke e quajtur një “mesazh solidariteti” nga Gjermania.
Ministria gjermane tha se pagesat po shpërndahen në bashkëpunim me “Claims Conference” dhe autoritetet izraelite.
Izraeli raportoi se pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi mbetën të vrarë rreth 1170 persona dhe 253 u morën peng. Si kundërpërgjigje e këtij veprimi, Izraeli nisi një fushatë bombardimesh dhe inkursionesh me trupa në Rripin e Gazës. Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që drejtohet nga Hamas, ka raportuar se deri më tani 33 545 njerëz kanë humbur jetën nga këto sulme.
Shifrat kanë besueshmëri të gjerë edhe në mediat ndërkombëtare, por nuk janë të ndara mes viktimave civile dhe personelit ushtarak të Hamasit.
Dhjetëra mijëra izraelitë, mes tyre edhe të mbijetuar të Holokaustit, janë larguar nga shtëpitë e tyre në qytetet pranë kufirit me Gazën apo në kufirin verior me Libanin, që prej nisjes së luftës dhe përfshirjes në të edhe të Hezbollahut. (A2 Televizion)