Suedia, një hap më pranë anëtarësimit në NATO, komisioni parlamentar turk jep miratimin

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2023, 19:13 | Bota

Suedia, një hap më pranë anëtarësimit në NATO,

Komiteti i Çështjeve të huaja të Parlamentit të Turqisë ka dhënë të martën pëlqimin e tij për kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO.

Kështu, vendi nordik bën një hap përpara drejt anëtarësimit në aleancën Perëndimore ushtarake.

Protokolli i pranimit të Suedisë tani do të duhet të miratohet në asamblenë e përgjithshme për fazën e fundit të procesit legjislativ në Turqi. Për këtë hap të radhës nuk është caktuar ende një datë.

Turqia, e cila është anëtare e NATO-s, e ka vonuar ratifikimin e aplikimit të Suedisë për më shumë se një vit, duke e akuzuar se është shumë tolerant ndaj grupeve që Ankaraja i konsideron si kërcënim për sigurinë e saj, duke përfshirë militantët kurdë dhe anëtarët e një rrjeti që Ankaraja fajëson për një grusht shteti të dështuar në vitin 2016.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vendosi një tjetër pengesë në fillim të këtij muaji duke e lidhur haptazi ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO me miratimin nga ana e Kongresit të SHBA-së të një kërkese për të blerë 40 avionë dhe pajisje të reja luftarake F-16 për të modernizuar flotën ekzistuese të Turqisë.

Komiteti i Punëve të Jashtme i parlamentit turk e nisi diskutimin për anëtarësimin e Suedisë në NATO muajin e kaluar. Takimi megjithatë u shty pasi ligjvënësit nga partia në pushtet e Erdogan paraqitën një mocion për një shtyrje me arsyetimin se disa çështje kishin nevojë për më shumë sqarime dhe se negociatat me Suedinë nuk ishin "pjekur" sa duhet.

Të martën, shumica e ligjvënësve në komitet votuan në favor të kërkesës së Suedisë për t'iu bashkuar Aleancës.

Suedia dhe Finlanda i braktisën qëndrimet e tyre tradicionale të mosangazhimit ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.

A2 CNN Livestream

A2 Sport