Navalny bëhet i gjallë nga arktiku rus: Mund të quhem një Babagjysh ne regjim special

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2023, 16:21 | Bota

Navalny bëhet i gjallë nga arktiku rus: Mund të quhem një

Lideri i opozitës ruse është bërë i gjallë pas disa javësh heshtjeje. Alexei Navalny është rikthyer në rrjetet e tij sociale nga burgu i largët në Arktik ku e kanë transferuar.

“Mos u shqetësoni për mua, jam mirë”, shkroi kundërshtari i Vladimir Putinit në platformën “X” në një sërë postimesh me anë të të cilave përshkroi transferimin që zgjati 20 ditë dhe kushtet e paraburgimit.

"Tani jetoj mbi Rrethin Arktik. Në fshatin Kharp në Yamal. Qyteti më i afërt ka emrin e bukur Labytnangi", shkruan Navalny teksa thotë me ironi se tashmë mund të cilësohet një Babagjysh në regjim special. Për t’i ngjarë Babagjyshit e ndihmon mjekra e rritur dhe rrobat e trasha të dimrit.

Siç tregon vetë, 20 ditët e udhëtimit kanë qenë mjaft rraskapitëse për të.

“Por unë jam ende në humor të mirë”, shton ai.

"Më sollën këtu të shtunën në mbrëmje. U transportova me aq masa paraprake dhe në një rrugë kaq të çuditshme (Vladimir - Moskë - Chelyabinsk - Yekaterinburg - Kirov - Vorkuta - Kharp) sa nuk prisja që të më gjenin para mesit të janarit.  Për këtë arsye u habita shumë kur dje u hap dera e qelisë me fjalët: "Ja avokati është këtu për ju."

Kushtet e burgimit

Në postimet e tij, 47-vjeçari përshkruan me detaje edhe kushtet e paraburgimit.

“Për fat të keq drerë nuk ka, por kemi qen të mëdhenj stani. Hedh sytë nga dritarja nga ku mund të shoh natën pastaj pasditen, pastaj natën sërish. Gardhi është shumë pranë. Bëra dhe një shëtitje në oborrin me borë.”

Kujtojmë se një ditë më parë, ekipi i liderit të opozitës ruse bëri të ditur se ishin vënë më në fund në kontakt me Navalny-n dhe se ai ndodhej në një burg të largët në veriperëndim të Siberisë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli