Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës mori një vendim lidhur me ndalimin e luftës së Izraelit në Gaza. Trupi gjykues i institucionit të Kombeve të Bashkuara rrëzoi kërkesën e Tel Avivit për të arkivuar çështjen e ngritur nga Afrika e Jugut në mbrojtje të civilëve palestinezë.
“Izraeli duhet të marrë të gjitha masat për të parandaluar çdo akt që mund të konsiderohet gjenocid – si vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i lëndimeve trupore, krijimi i kushteve për të shkaktuar shkatërrimin e një grupi dhe parandalimi i lindjeve”, lexohet në vendimin e shqiptuar në Hagë.
Gjithashtu, i kërkohet shprehimisht Izraelit që të sigurojë që ushtria e tij të mos kryejë akte gjenocidale. Qeveria së Benjamin Netanjahut i bëhet thirrje që të marrë masa për të siguruar akses humanitare në Gaza.
“Izraeli duhet të parandalojë çdo shkatërrim të provave që mund të përdoren në një rast gjenocidi”, lexohet më tej në një tjetër pikë të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ndër të tjera, urdhëron Izraelin që të paraqesë një raport në Hagë brenda një muaji nga sot. Ky vendim nuk është ligjërisht i detyrueshëm dhe Izraeli pothuajse me siguri do ta injoronte atë, por do të ishte politikisht i rëndësishëm. (A2 Televizion)