Tensione të larta në Azi, dy Koretë shkëmbejnë zjarr në ishujt kufitar

Nga A2 CNN
5 Janar 2024, 09:24 | Bota

Tensione të larta në Azi, dy Koretë shkëmbejnë zjarr

Në Azi një vatër e re konflikti duket se po lind, pasi tensionet midis dy Koreve janë rritur në këtë fillimviti. Kjo pas sulmeve të artilerisë së Veriut komunist në Detin e Verdhë.

Më konkretisht, Koreja e Jugut ka urdhëruar që të evakuohen civilët nga ishujt Yeonpyeong dhe Baengnyeong, përgjatë kufirit të saj me Veriun në Detin e Verdhë, pasi Pheniani qëlloi rreth 200 predha artilerie në brigjet e saj perëndimore.

Këtë e konfirmoi Ministria e Mbrojtjes, duke e konsideruar aktin e Veriut “provokues”.

"Ky është një akt provokues që kërcënon paqen në Gadishullin Korean", tha ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut në një deklaratë.

Seuli iu përgjigj zjarrit, duke gjuajtur municione të drejtpërdrejta nga artileria në ishullin Yeonpyeong në kufi. Shkëmbimi i zjarrit mes dy Koreve është i pari tension real që nga nëntori i vitit 2023, kur të dy vendet u tërhoqën nga një marrëveshje për të shmangur incidentet ushtarake, e cila kishte zgjatur që nga viti 2018.

Përpara se të kundërpërgjigjej me zjarr, Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut tha se breshëritë e artilerisë së Veriut i kërkoi Phenianit të ndalonte, duke paralajmëruar se Seuli do të marrë masat e duhura.

Ndërkohë, vlen të theksohet se tensionet u nxitën gjithashtu nga fjala e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili gjatë një vizite në një fabrikë armësh bëri thirrje për rritjen e prodhimit të raketave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos