Tmerret në Gaza, CNN dëshmon nga afër tragjeditë e banorëve të pafajshëm

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2023, 11:26 | Bota

CNN është media e parë perëndimore që arrin të futet në Gaza dhe të raportojë në mënyrë të pavarur. Clarissa Ward përshkruan atë që pa aty.

Nuk mundohesh shumë për të gjetur tragjedi në Gaza. Të del përpara syve në çdo rrugë, të mbushur me plehra dhe ujë të ndenjur, të shkretuar thuajse plotësisht.

Clarissa Ward: Sapo kemi kaluar kufirin në jug të Gazës. Kjo është hera e parë që kemi arritur të futemi në Gaza që prej 7 tetorit. Dhe tani po shkojmë në një spital të improvizuar që është ngritur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Deri tani, Izraeli dhe Egjipti e kanë bërë thuajse të pamundur futjen e gazetarëve ndërkombëtarë. Dhe arsyet shihen qartë.

Tmerret në Gaza, CNN dëshmon nga afër tragjeditë e

Clarissa Ward: Që prej 7 tetorit, ushtria izraelite ka lëshuar mbi 22 mijë bomba mbi Gaza, shifër që tejkalon gjithçka kemi parë deri më sot në luftërat moderne sa i përket intensitetit dhe egërsisë. Dhe ne vetëm sa po i hedhim një sy.

Pavarësisht bombardimeve të rënda nga ana e Izraelit, ka edhe njerëz në rrugë. Shohim një grup pranë një furre buke. E ku të shkojnë tjetër? Në Gaza asnjë vend nuk është i sigurt.

Pasi mbërritëm në spital takojmë Dr. Abdullah Al-Naqbi. Sapo nisim turin kur... bien bomba.

Dr. Abdullah Al-Naqbi: Kjo është jeta jonë këtu.

Clarissa Ward: Këtë dëgjoni gjatë gjithë kohës tani?

Dr. Abdullah Al-Naqbi: Po, të paktën 20 herë në ditë.

Clarissa Ward: 20 herë në ditë?

Dr. Abdullah Al-Naqbi: Ndoshta më tepër. Ndonjëherë mendoj se duhet të mësohemi me këtë.

Por nëse ka një gjë me të cilën asnjë nga mjekët nuk është mësuar, është numri i fëmijëve që po marrin trajtim. OKB vlerëson se rreth 2/3-tat e të vrarëve në këtë konflikt kanë qenë gra dhe fëmijë.

Tetëvjeçarja Jinan (Xhanan) pati fatin t’i mbijetojë një bombe që ra në shtëpinë e saj vetëm me një kockë të thyer, ndërsa familja e saj shpëtoi.

Clarissa Ward: Ajo thotë që nuk ka dhembje, kjo është diçka e mirë.

Mamaja e saj ishte jashtë banesës kur ndodhi shpërthimi.

Hiba Mohammed Mughari: Shkova në spital për ta kërkuar. Mjekët më treguan çfarë i kishte ngjarë dhe falë zotit u sigurova që ishte në rregull.

Tmerret në Gaza, CNN dëshmon nga afër tragjeditë e

Jinan: Ata bombarduan shtëpinë përballë tonës, tregon ajo, e më pas shtëpinë tonë. Unë isha ulur pranë gjyshit dhe ai më nxori jashtë.

Clarissa Ward: Mos qaj.

Por Dr. Ahmed Almazrouei thotë se është e vështirë të mos qash.

Dr. Ahmed Almazrouei: Punoj me të moshuarit, por kur ke fëmijë përballë, të prekin zemrën.

Të prekin zemrën dhe të vënë në provë besimin te njerëzimi. Teksa largohemi nga Jinan, doktor Al-Naqbi kthehet me lajmin se po vijnë të plagosurit nga shpërthimi i para 10 minutave.

Dr. Abdullah Al-Naqbi: Sapo erdhi barela, dy burra të amputuar.

Clarissa Ward: Nga bobma që sapo dëgjuam?

Dr. Abdullah Al-Naqbi: Me sa mora vesh, po. Do vijnë këtu.

Një burrë dhe një 13-vjeçar, të dy pa gjymtyrë, hynë me karrige me rrota, por janë në gjendje të rëndë.

Si e ke emrin? Si e ke emrin? E pyet mjeku.

Shënimet e infermierit të ambulancës janë të mbuluara në gjak. Gjakderdhjen e ndalojnë me një fasho të sajuar. Që kur spitali u ndërtua dy javë më parë është mbushur me pacientë. Nga 150 shtretër, 130 janë të zënë.

Clarissa Ward: Pra, që ta kuptoj mirë. Ju jeni spitali i vetëm këtu rrotull që ka ende shtretër të lirë.

Dr. Abdullah Al-Naqbi: Me sa duket. Por më thonë se një tjetër spital ka kapacitet 200 shtretër. Por kanë 1000 të shtruar tani ndërsa spitali tjetër, ka 100 shtretër por 500 pacientë. Në një rast më morën në telefon dhe më thanë, kemi 3 pacientë në çdo krevat. A mund të merrni ndonjë?

Clarissa Ward: Kemi 15 minuta këtu dhe e kuptuam çfarë ndodh nga ato që shohim.

Dr. Abdullah Al-Naqbi: E dëgjove, kupton...

Në çdo shtrat, një tjetër pamje e rëndë, një fëmijë më pak se dy vjeç, Amiri, i cili ende nuk e di që prindërit dhe vëllezërit e tij kanë vdekur nga bombardimi që la shenja në fytyrë.

Nehaia Alqadra: Dje pa një infermier që iu duk si i ati, na thotë halla e tij Nehaia. Vetëm bërtiste “babi, babi”.

Amir është nde shumë i vogël për të kuptuar tmerrin që po ndodh rreth tij. Por 20-vjeçarja Lama kupton mjaft mirë gjithçka. Dhjetë javë më parë po studionte për inxhinieri në universitet dhe po ndihmonte motrën në përgatitjet e dasmës. Sot është duke u rikuperuar pasi i kanë prerë këmbën. Familja e saj ndoqi urdhrat e ushtrisë izraelite dhe kaloi nga veriu në jug. Por shtëpia ku po strehoheshin u bombardua.

Lama: Bota nuk po na e vë veshin, thotë ajo, askush nuk e vret mendjen për ne. Kemi 60 ditë që vdesim këtu, po vdesim nga bombat dhe askush nuk bëri asgjë.

Fjalë të rënda, të thëna në kushte të rënda. Por a do t’i dëgjojë kush?

Njëlloj si Grozni, Alepo dhe Mariupoli, Gaza do të mbahet mend si një nga tmerret e mëdha të luftërave moderne.

Po bie nata. Është koha që ne të largohemi. Një privilegj që shumica dërrmuese e banorëve të Gazës, nuk e kanë.

Dritarja nga ku pamë ferrin po mbyllet. Por ky konflikt i tmerrshëm jo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos