Një tërmet me magnitudë 7,8 ballë goditi Filipinet jugore të hënën, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar skena paniku në disa pjesë të arkipelagut. Disa persona raportohet se kanë mbetur të vdekur nën rrënoja, shkruan A2 CNN.
Tërmeti goditi rreth orës 07:37 të mëngjesit sipas kohës lokale në një thellësi prej rreth 35 kilometrash. Disa vdekje janë konfirmuar, ndërsa ekipet e reagimit ende po përpiqen të verifikojnë më shumë raportime për viktima në terren.
Agjencia sizmologjike e vendit, tha se tërmeti goditi brigjet e Qytetit General Santos, maja më jugore e ishullit Mindanao. Tërmeti i fortë goditi të hënën, ndërsa shkollat publike filluan vitin e ri akademik. Videot në mediat sociale treguan dhjetëra nxënës të tmerruar të shkollës fillore të dalin jashtë, ndërsa toka poshtë tyre lëkundej.
Pamjet e tjera treguan çatinë e një kampusi të shkollës së mesme e cila ishte shembur, ndërsa nxënësit ishin rreshtuar jashtë fushës sportive të shkollës. Filipinet, Indonezia dhe Japonia ndodhen në të ashtuquajturën Unaza e Zjarrit, një hark vijash plasaritjeje që rrethojnë pellgun e Paqësorit, i cili është i prirur ndaj tërmeteve dhe shpërthimeve vullkanike të shpeshta. (A2 Televizion)