Trump apelon vendimin e shtetit Maine që e përjashton atë nga fleta e votimit

Nga A2 CNN
3 Janar 2024, 09:19 | Bota

Trump apelon vendimin e shtetit Maine që e përjashton atë nga

Ish-presidenti Donald Trump apeloi të martën vendimin e sekretares demokrate të shtetit Maine, që e përjashton atë nga fleta e votimit lidhur me rolin e tij në trazirat në ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021.

Trump pritet që të kërkojë gjithashtu nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara që të marrë një vendim lidhur me çështjen e ngritur në Kolorado që e skualifikon atë nga pjesëmarrja në fletën e votimit.

Demokratja Shenna Bellows, është sekretarja e parë në historinë e shtetit Maine që e ndalon kandidaturën e një kandidati për president në bazë të një klauzole të Amendamentit të 14 të Kushtetutës që është përdorur rrallë herë. Dispozita ligjore ndalon që një individ i përfshirë në kryengritje të mbajë një post publik.

Apelimi i zotit Trump në Gjykatën e Lartë të shtetit Maine deklaron se sekretarja Bellows nuk kishte juridiksion për këtë çështje dhe kërkon që asaj t'i kërkohet që të vendosë emrin e zotit Trump në fletën e votimit për zgjedhjet paraprake të 5 marsit. Kërkesa argumenton se ajo i tejkaloi kompetencat dhe u bazua në ‘fakte të pabesueshme’.

“Sekretarja duhet të tërhiqej për shkak të njëanshmërisë së saj kundër Presidentit Trump, siç tregon e kaluara e saj e dokumentuar në deklaratat e mëparshme që paragjykon çështjen në fjalë”, thanë avokatët e zotit Trump.

Sekretarja Bellows tha për agjencinë e lajmeve Associated Press të martën se vendimi i saj ishte i ngrirë në pritje të vendimit pas apelimit.

“Kjo është pjesë e procesit. Unë kam besim tek vendimi im dhe zbatimi i ligjit. Ky është procesi i shtetit Maine dhe është shumë e rëndësishme që para së gjithash, secili prej nesh që shërben në qeveri të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e shtetit”, tha ajo.

Të martën zoti Trump pritej që të apelonte në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara edhe një vendim të ngjashëm nga Gjykata e Lartë e Kolorados.

Gjykata më e lartë e Shteteve të Bashkuara asnjëherë nuk ka dalë me një vendim lidhur me klauzolën në fjalë. Vendimi 4 me 3 i Gjykatës së Lartë të Kolorados shënon herën e parë në histori që citon dispozitën ligjore për të përjashtuar një kandidat nga fleta e votimin presidencial.

Kundërshtarët e zotit Trump kanë ngritur dhjetëra padi në shumë shtete duke kërkuar që ta skualifikojnë atë nga votimi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos