Trump kërcënon Iranin me sulme të reja: “Nëse Hamasi nuk çarmatoset, do ta paguajë shtrenjtë”

Nga Rosalba Bejdo
29 Dhjetor 2025, 20:23 | Bota

Në krah të aleatit të tij, kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Iranin për një tjetër sulm të madh nëse do të zhvillojë programin balistik ose bërthamor.

Pas takimit në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridës, ku pritej që Irani të ishte tema kryesore, Trump sugjeroi se Teherani mund të jetë duke punuar për të rimëkëmbur programet e armatimeve pas sulmit masiv nga SHBA në qershor.

“Po dëgjoj se Irani po përpiqet të ndërtojë sërish, dhe nëse po e bëjnë, do t’i godasim fort. Do t’i godasim dhe do t’i shkatërrojmë plotësisht. Megjithatë, kam dëgjuar gjithashtu se Irani dëshiron një ujdi dhe, nëse e bën këtë, do të tregohet i zgjuar. Nuk duam të çojmë dëm sërish karburantin e bombarduesve tanë B-2. Është një udhëtim i gjatë, prej 37 orësh”, tha Trump.

Trump deklaroi po ashtu se me Netanjahun kishte folur edhe për avancimin e planit të brishtë të paqes në Gaza, të ndërmjetësuar prej tij. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se donte të kalonte me shpejtësi në fazën e dytë, e cila do të parashikonte vendosjen e një force paqeruajtëse ndërkombëtare në enklavë.

Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të ujdisë, me Netanjahun që ka paralajmëruar se do të rinisë aksionet ushtarake nëse grupi militant nuk çarmatoset.

Gjatë deklaratës së të hënës, Trump fajësoi Hamasin dhe e paralajmëroi për pasoja të rënda nëse nuk çarmatoset: “Folëm për Hamasin dhe për çarmatosjen. Atyre do t’u jepet një periudhë shumë e shkurtër kohore për ta bërë këtë. Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të jenë përgjegjës për këtë nga ana jonë, por nëse nuk çarmatosen, siç ranë dakord ta bëjnë, atëherë i pret ferri. Dhe ne nuk e duam këtë”.

Gjatë konferencës së përbashkët me Netanjahun, Trump tha se Izraeli i ishte përmbajtur 100 për qind planit, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme nga forcat e IDF në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos