Trupi i Navalnit nuk dorëzohet, Rusia i thotë jo hetimit ndërkombëtar për vdekjen e opozitarit

Nga Xhevahir Qardaku
20 Shkurt 2024, 15:33 | Bota

Rusia refuzon hetimin ndërkombëtar për të përcaktuar shkaqet e vdekjes misterioze të opozitarit, Aleksei Navalni. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e zyrtarizoi këtë qëndrim, duke thënë se kërkesa nuk pranohet, vetëm nga fakti se vjen nga shefi i Bashkimit Europian për politike të jashtme, Josep Borrell.

Ai komentoi dhe deklaratën e bashkëshortes së Navalnit, e cila akuzoi Vladimir Putin se qëndron pas asaj që e konsideroi një vrasje me agjent nervor noviçok.

“Presidenti nuk e ka parë videon e zonjës Navalni. Akuzat e saj janë plotësisht të pabaza”, u shpreh Peskov.

Ndërkohë, familjarëve të Navalnit i është thënë se trupi i pajetë nuk do të dalë nga morgu për dy javë, pasi po i bëhen disa analiza kimike. 47-vjeçari ndërroi jetë më 16 shkurt në rrethana misterioze në një burg të sigurisë së lartë në Arktik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos