Liderët europianë takohen në Bruksel, me shpresën se do të arrijnë të bindin “djalin e keq” të familjes, Victor Orban të zhbllokojë ndihmat për Ukrainën. Orban, i cili është edhe aleati më i ngushtë i Putinit në BE, e që ka kundërshtuar vazhdimisht sanksionet kundër Moskës, vendosi veton ndaj një pakete prej 50 miliardë eurosh për Kievin dhjetorin e kaluar.
Po qarkullojnë zëra se BE mund të ndërmarrë veprime ndëshkuese kundër Hungarisë, teksa shumë prej liderëve po e humbasin durimin me qëndrimin e vendit. Brukseli nuk mund të presë më pasi Ukraina do të mbetet pa para për të vijuar funksionet normale shtetërore në muajin mars.
“Nëse Europa e mendon veten si një komunitet ku të gjithë qëndrojnë krah njëri tjetrit, arritja e konsensusit është e mundur. Duhet të bëjmë gjithçka për të kontribuar në aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur tokën e vet”, tha Olaf Scholz.
Kryeministri polak Donald Trusk tha të martën se në një mënyrë ose tjetrën, me apo pa Orbanin, BE do ta gjente zgjidhjen për të mbështetur Kievin.
“Financial Time” raportoi më herët gjatë kësaj jave se zyrtarët në Bruksel mund të godasin ekonominë Hungareze nëse Orban vendosë të bllokojë sërish paketën e ndihmave. Duke ju përgjigjur artikullit drejtori politik i Orban, Balazs Orban shkroi në rrjetin social X se Brukseli po përdorte shantazhin kundër Hungarisë.
Samiti mbahet nën sfondin e protestave disa javore të fermerëve që kanë prekur shumicën e vendeve europiane. fermerët e zemëruar u vunë zjarrin gomave të automjeteve e objekteve të tjera në protestën e mbajtur para Parlamentit Europian të enjten, mes pretendimeve se nuk paguhen mjaftueshëm, se mbyten nga taksat dhe rregullat e gjelbra e se përballen me konkurrencë të padrejtë nga jashtë. (A2 Televizion)