Vala e të nxehtit ndez Evropën Jugore, 12 persona humbin jetën nga zjarri në Spanjë

Nga A2 CNN
10 Korrik 2026, 08:07 | Bota

Vala e të nxehtit ndez Evropën Jugore, 12 persona humbin jetën

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të madh pyjor që shpërtheu në zonën e Los Gallardos, në provincën juglindore të Almerías, kanë bërë të ditur autoritetet rajonale të Andaluzisë.

Flakët kanë detyruar evakuimin e rreth 1 000 banorëve, ndërsa disa rrugë janë mbyllur për shkak të rrezikut të lartë. Sipas autoriteteve, disa prej viktimave janë gjetur brenda automjeteve të përfshira nga zjarri. Shkaku i zjarrit mbetet ende nën hetim, megjithëse dëshmitarët dyshojnë se ai mund të jetë shkaktuar nga rrëzimi i një linje elektrike.

Rreth 150 zjarrfikës, të mbështetur nga Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), po vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të flakëve pranë fshatit Bédar. Një nga të plagosurit është shtruar në spital për shkak të thithjes së tymit, një tjetër ka pësuar djegie, ndërsa katër persona të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje për lëndime të lehta dhe probleme me frymëmarrjen.

Presidenti i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave. Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka deklaruar se autoritetet do të mobilizojnë të gjitha kapacitetet për përballimin e zjarreve gjatë sezonit veror.

Zjarri në Almería është pjesë e një vale zjarresh që po përfshin Evropën Jugore, të favorizuara nga temperaturat ekstreme që në disa zona kanë arritur deri në 42 gradë Celsius. Ekipe zjarrfikëse po luftojnë me flakët edhe në Portugali dhe Francë, ndërsa mijëra banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos