Shtetet e Bashkuara kanë bombarduar pozicionet e ISIS-it në Nigeri. Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi lajmin në rrjete sociale: “Sipas udhëzimeve të mia si Komandant i Përgjithshëm, Shtetet e Bashkuara nisën një sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës kundër llumit terrorist të ISIS-it në Nigerinë veriperëndimore, të cilët kanë shënjestruar dhe vrarë brutalisht, kryesisht të krishterë të pafajshëm, në një shkallë të paparë në shumë vite, madje edhe shekuj”, shkroi ai në Truth.
“I kam paralajmëruar këta terroristë se nëse nuk do të ndalonin së masakruari të krishterët, do të paguanin një çmim të lartë, dhe sonte e bënë”, vazhdoi Trump, përcjell A2. “Departamenti i Luftës ka kryer sulme të shumta të përsosura, siç mund ta bëjnë vetëm Shtetet e Bashkuara. Nën udhëheqjen time, vendi ynë nuk do të lejojë që terrorizmi radikal islamik të lulëzojë”, nënvizoi presidenti duke paralajmëruar me sulme të tjera nëse vazhdojnë masakrat ndaj të krishterëve.

“AFRICOM kreu një sulm me kërkesë të autoriteteve nigeriane, duke vrarë disa terroristë të ISIS-it”, shkroi Komanda Amerikane e Afrikës në X. “Sulmet vdekjeprurëse kundër ISIS-it demonstrojnë forcën e ushtrisë sonë dhe angazhimin tonë për të eliminuar kërcënimet terroriste kundër amerikanëve, brenda dhe jashtë vendit”, theksohet më tej. Në një deklaratë, Ministria e Jashtme në Abuja shpjegoi se sulmet precize u kryen në koordinim me Uashingtonin. (A2 Televizion)