Hamasi po ndërmerr një qasje të frikshme ndaj pengjeve izraelite. Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidneciale për median amerikane New York Times. Burime për median prestigjioze amerikane theksojnë se Hamasi po përgatitet të eliminojë të gjithë pengjet nëse këta të fundit tentojnë të shpëtohen nga Izrael.
Për momentin, nuk ka asnjë konfirmim as nga Izraeli, as nga Shtetet e Bashkuara se disa nga të rrëmbyerit kanë humbur jetën gjatë operacionit të shpëtimit ditën e shtunë.
I vetmi konfirmim që vjen nga operacioni blitz, është fakti se pengjet po mbahen në shtëpi dhe jo në tunele të ndërtuara nga Hamasi, siç mendohej në fillim të luftës.
Me kalimin e muajve, pengjet janë zhvendosur disa herë për ta bërë të vështirë gjurmimin e tyre. Sepse një luftë tjetër po zhvillohet kundër të rrëmbyerve, me Izraelin të vendosur për t'i sjellë në shtëpi dhe Hamasin për t'i përdorur ata si mjet pazaresh, shkruan gazeta amerikane.
Sakaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar nga qeveritë e vendeve arabe që të bëjnë presion mbi Hamasin në mënyrë që ky i fundit të pranojë marrëveshjen me Izraelin. Komentet e tij, Blinken i bëri gjatë vizitës së tij në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë një projekt-rezolutë që mbështet armëpushimin e propozuar në Gaza. Këtë e ka bërë të ditur Presidenca e Këshillit të Sigurimit të Koresë së Jugut.
Teksti "flet në mënyrë të favorshme" propozimin e armëpushimit të shpallur më 31 maj nga presidenti amerikan Joe Biden, fton grupin militant palestinez "ta pranojë atë dhe fton të dyja palët që të zbatojnë plotësisht kushtet e tij pa vonesë dhe pa kushte", thuhet në njoftimin e OKB-së. (A2 Televizion)