Zelensky nis riorganizimin e qeverisë ukrainase, paralajmëron ndryshime në krye të kabinetit

Nga A2 CNN
12 Korrik 2026, 16:09 | Bota

Zelensky nis riorganizimin e qeverisë ukrainase, paralajmëron

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar një riorganizim të gjerë të qeverisë, duke paralajmëruar ndryshime në përbërjen e kabinetit dhe në drejtimin e disa agjencive të zbatimit të ligjit.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Zelensky bëri të ditur se i ka propozuar kryeministres Yulia Svyrydenko të marrë drejtimin e një fushe të re strategjike që lidhet me marrëdhëniet me një partner kyç të Ukrainës, duke sinjalizuar largimin e saj nga posti aktual, shkruan A2CNN. 

“Jam mirënjohës ndaj Yulia Svyrydenkos për punën e saj të qartë, të qëndrueshme dhe efektive si kryeministre, si edhe për vitet e saj të shërbimit produktiv në ekipin e Ukrainës. I kam ofruar mundësinë të udhëheqë një fushë të re dhe të rëndësishme të marrëdhënieve me një partner kyç”, shkroi Zelensky.

Presidenti ukrainas nuk bëri të ditur se kush do ta zëvendësojë Svyrydenkon dhe nuk dha detaje mbi arsyet e këtij riorganizimi.

Ai theksoi se ndryshimet synojnë të përshpejtojnë prioritetet strategjike të vendit, përfshirë avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, forcimin e sigurisë në zonat kufitare dhe një organizim të ri të përgjegjësive në politikën e jashtme.

“Pres që, së bashku me deputetët, të bëjmë ndryshimet përkatëse në Qeverinë e Ukrainës. Do të ketë gjithashtu ndryshime edhe në drejtimin e agjencive të zbatimit të ligjit”, deklaroi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos