Zjarr në spitalin e Tivolit: 3 viktima, evakuohen 200 pacientë

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2023, 09:27 | Bota

Tre persona kanë humbur jetën në Tivoli pasi spitali i qytetit u përfshi nga flakët. Mediat në Itali raportojnë se dy persona humbën jetën nga intoksikimi kurse një i tretë si pasojë e atakut në zemër.

Pas shuarjes së flakëve, spitali u mbush me tym dhe u evakuua. Rreth 200 pacientë tashmë janë transferuar.

Dhjetëra pacientë të evakuuar u transferuan në palestrën bashkiake aty pranë, të ngritur nga Mbrojtja Civile lokale me batanije, jastëkë dhe shtretër, shkroi kryetari i bashkisë së Tivolit, Giuseppe Proietti, në rrjetet sociale.

Zjarri në spitalin e Tivolit, sipas mediave, nisi nga disa dhoma që ndodhen në katin -2 të spitalit dhe prej andej flakët mbërritën në urgjencë dhe në reanimacion.

Repartet e tjera nuk u prekën, por tymi shumë i dendur pushtoi të gjithë spitalin dhe u pa e nevojshme që të evakuohej e gjithë struktura.

Përveç tre viktimave që humbën jetën nga zjarri, u gjet edhe trupi i një personi që kishte ndërruar jetë para se të binte zjarri.

Ndërkohë, prokuroria e Tivoit ka hapur një dosje hetimore për rastin. Në trupat e viktimave është urdhëruar autopsi për të zbardhur shkaqet e vdekjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos