Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca deklaroi se është e pandershme që Kosovës t’i vihen kushte të reja para votimit final për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Së fundmi u raportua se Kosovës do t’i kërkohet që draft-statutin e Asociacionit të pranuar nga ndërkombëtarët ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim para mbledhjes se ministrave të Jashtëm të KiE në muajin maj.
"Nuk mendoj se është e ndershme për Kosovën që të përjetojë kushte të tjera shtesë nga ato që e kanë përpiluar ekspertët eminentë të Këshillit të Evropës. Nëse shtetet të tjera, qeveritë e tyre dëshirojnë të vendosin kushte të tjera shtesë atëherë ne mendojmë se kjo është e papranueshme dhe është dëmtim i qëllimshëm i Republikës së Kosovës dhe interesit të saj.”
Nëse do të vendoset kusht Asociacioni, Konjufca tha se kjo do të bëhej për interesat e ndërmjetësit Miroslav Lajçak dhe proceseve që ai nuk ka përmbyllur.
“Zonja Bakojanis shumë lehtë mund të kishte shkruar Asociacioni para anëtarësimit, por nuk e ka bërë këtë gjë. Pse dikush duhet të na ngarkojë me diçka më shumë sesa na ka ngarkuar ajo dhe Këshilli i Evropës. Kjo do të ishte për interesa të z. Lajçak dhe proceseve që ai nuk ka mundur t’i përmbyllë dhe t’i përfundojë. Të na vënë në qafë edhe disa kritere që janë të pandershme.”
Raporti i raportueses Dora Bakojanis nuk specifikon që duhet që Asociacioni të themelohet para anëtarësimit mirëpo pas përfundimit të këtij procesi do të krijohet një komision monitorues për të parë implementimin e marrëveshjeve me Serbinë. (A2 Televizion)