Çfarë ndodhi 25 vite më parë? Sulmet e NATO dhe mbrojtja e Kosovës

Nga A2 CNN
24 Mars 2024, 14:08 | Aktualitet

Kur ora shënoi 19:45 më 24 mars të vitit 1999, sirenat e alarmit në Beograd u dëgjuan. Pas tyre, pati shpërthime të fuqishme në disa zona ushtarake. Kështu nisi ndërhyrja ajrore e NATO-s kundër ushtrisë dhe policisë të Serbisë dhe Malit të Zi, e cila u bë me një mision të qartë: për të ndaluar krimet makabre të forcave të Sllobodan Millosheviçit kundër popullatës civile shqiptare në Kosovës.

Aleanca e fuqishme e konsiderojnë këtë lëvizje të domosdoshme, pas refuzimit të planit të paqes nga “kasapi i Ballkanit”, duke detyruar presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Klinton, të jepte këtë urdhër.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka zgjedhur agresionin në vend se të paqes. Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha presidenti amerikan në atë kohë.

Kjo bëri që fillimisht më 24 mars të 1999, të bombardohet fabrika e prodhimit dhe riparimit të avionëve në Pançevë, gjithashtu dhe objekte të tjera, që u konsideruan me rëndësi ushtarake në Serbi. Emri zyrtar i koduar nga NATO ishte “Operacioni i Forcave Aleate”; Shtetet e Bashkuara e quajtën “Operacioni i Kudhrës Fisnike”, ndërsa në ish Jugosllavi operacioni u quajt gabimisht “Engjëlli mëshirues”, si rezultat i një keqkuptimi ose përkthimi të gabuar.

Refuzimi i ish Jugosllavisë për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë, vrasja e masakrimi i civilëve shqiptarë në Kosovë dhe dëbimi i mbi 1 milionë të tjerëve nga shtëpitë e tyre, ishin vija e madhe e kuqe që detyroi NATO-n të ndërhynte.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut nisëm ta lëshonin territorin e Kosovës.

Bombardimet e NATO-s vranë rreth 1,000 anëtarë të forcave të sigurisë jugosllave. Operacioni shkatërroi ose dëmtoi ura, impiante industriale, kazerma dhe instalime ushtarake. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos