25 vjetori i bombardimeve të NATO, Begaj: Ngjarje që shpëtoi Kosovën dhe stabilizoi Ballkanin

Nga A2 CNN
24 Mars 2024, 10:06 | Aktualitet

25 vjetori i bombardimeve të NATO, Begaj: Ngjarje që shpëtoi

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përmes një postimi në rrjetet sociale përkujtoi 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO që i dha fund gjenocidit serb në Kosovë dhe solli stabilitetin në rajonin e Kosovës.

Begaj shkruan se Aleanca nuk qëndroi indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës dhe arriti të krijojë të krijojë një kornizë të re të sigurisë në rajon, duke mundësuar dhe krijimin e Republikës së Kosovës.

Postimi i Presidentit Begaj.

Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA!

25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t'i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.

Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.

Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.

Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin.

Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik.

Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.

Akti historik i NATO-s na kujton se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet.

Teksa falënderojmë ndihmën e paçmuar të Aleancës më të fuqishme të botës dhe të partnerit tonë strategjik, SHBA-së, sot përkujtojmë edhe sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.

Ata ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza e drejtë e ndërhyrjes në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos