Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka zhvilluar një vizitë në Mal të Zi, si pjesë e turit të tij të fundit. Zyrtari i Departamentit të Shtetit ka lëshuar një kritikë të fortë ndaj Serbisë, për shkak të kërcënimeve të fundit drejtuar Kosovës.
“Në këtë periudhë kur tre shtete fqinje po na ndihmojnë për të ruajtur stabilitetin, është një që nuk po punon për këtë, por po dërgon mesazhe për Kosovën”, nënvizoi Escobar.
Gjatë vizitës në Podgoricë, ai foli edhe për ndikimin malinj rus në rajon duke shprehur një shqetësim serioz për faktin që është rritur mbështetja pro Rusisë dhe zbehur ajo pro NATO-s.
Më herët, Escobar ka vizituar dhe Kosovën ku dërgoi një propozim amerikan për të zgjidhur çështjen e dinarit serb. Gjithashtu bëri me dije se Shtetet e Bashkuara po hetojnë lidhjet e shtetit të Serbisë me sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës. (A2 Televizion)