Bashkimi Europian thekson se do tu bëjë presion Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit dhe aneksin e zbatimit të Ohrit, 1 vit nga pranimi verbal i saj. Kryediplomati europian, Josep Borrell, shprehu zhgënjimin për mungesën e përparimit në këtë drejtim dhe paralajmëron pasoja.
Ka kaluar plot një vit nga pranimi i marrëveshjes për normalizim dhe aneksit të zbatimit nga Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por implementimi i ujdisë së pranuar pa një firmë nuk ka nisur asnjëherë.
Këtë fakt e ka pranuar dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell, duke shprehur keqardhje dhe paralajmëruar një shtim të presionit ndaj palëve.
“Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes ndërkombëtare dhe të zgjeruar nga Bashkimi Europian, Kosova dhe Serbia kanë bërë shumë pak progres. Do të kemi së shpejti një takim të ri të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Jam shumë i zhgënjyer që kjo marrëveshje, shumë e vështirë për tu arritur, nuk është zbatuar. Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion ndaj të dyja palëve për të lëvizur përpara. Por një vit më pas, zbatimi nuk ka qenë aty ku duhej të ishte.”
Më herët, shefi i diplomacisë së BE-së publikoi një deklaratë duke shprehur qartë zhgënjimin e tij me Prishtinën dhe Beogradin për mungesën e zbatimit të marrëveshjes së normalizimit të negociuar gjatë.
Borrell e konsideron ujdinë, “një arritje historike”, e cila për herë të parë përcaktonte një rrugë të qartë për normalizimin e marrëdhënieve dhe të ardhmen e tyre europiane.
Zyrtari i Brukselit ka shuar çdo dyshim duke konfirmuar se “marrëveshja është e detyrueshme nën ligjin ndërkombëtar dhe çdo refuzim për zbatimin e saj jo vetëm që rrezikon integrimin europian, por dëmton edhe reputacionin e secilës palë si partnere e besueshme”.
“Është koha për Kosovën dhe Serbinë që të thyejnë rrethin vicioz aktual të krizave dhe tensioneve, për të lëvizur drejt një epoke të re europiane”, nënvizon mes të tjerash Borrell.
Marrëveshja e normalizimit përmban 10 pika, ndër të cilat përcaktohet qartë një njohje defakto nga Serbia duke pranuar kufijtë, simbolet dhe ekzistencën e Kosovës si shtet, të mos bllokojë rrugën e saj drejt anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, ndërsa nga ana tjetër, Kosova duhet të formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe në atë që është përcaktuar si vetëmenaxhim si dhe të formalizojë statutin për Kishën Ortodokse serbe në Kosovë. (A2 Televizion)