Mercenarët serbë të cilët e quajnë veten “Arinjtë e Permit” e që po luftojnë krah forcave ruse kundër Ukrainës përmes një video kanë kërcënuar edhe Kosovën.
Duke e quajtur NATO-n fashiste, ata premtojnë se sapo të përmbyllin luftën në Ukrainë do të rikthehen për të marr tokën e Kosovës.
“Përshëndetje nga Vullnetarët serbë. Përshëndesim popullin tonë, popullin e Kosovës, popullin e Republikës Srpska. ‘Permskie Medvedi’ (Arinjtë e Permit) ju premtojnë personalisht, mu nga këto anë, se sapo ta përfundojmë këtë me fashistët e NATO-s, do të vijmë atje që të kthehemi në shenjtoret tona dhe ta kthejmë atë që është e jona”, dëgjohet në video.
Megjithëse kërcënime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, ekspertët e sigurisë sugjerojnë që Kosova duhet të jetë e kujdesshme.
“Kërcënime të tilla janë kërcënime që i kemi parë edhe në të kaluarën por që ne do të duhet të jemi të kujdesshëm në momentin që do të ketë ndonjë ndryshim eventual të luftës Ukrainë-Rusi apo do të ketë përmbyllje të atij konflikti nga ndërkombëtarët në drejtim të Rusisë ata luftëtarë të Serbisë dhe Rusisë do të kthehen në territorin e Serbisë”, u shpreh Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Ashtu sikurse në rastin e Banjskës ku u përdor një grup paramilitar, Serbia do t’i përdorë këto formacione me përvojë ushtarake për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor.
“Ne mund të themi që e rrezikon sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës, do të duhet të jemi të kujdesshëm tanimë luftërat e ardhshme, konfliktet e e ardhshme, do të shfaqen dhe do të manifestohen përmes këtyre kontraktorëve privatë ushatarkë apo mercenarëve të cilët defakto do të përdoren nga strukturat shtetërore të Beogradit për të cenuar sigurinë edhe të Kosovës por edhe atë kolektive në rajonin e Ballkanin e Perëndimor”, shtoi ai.
Mercenarët serbë që shihen me veshje ushtarake dhe të armatosur përshëndesin edhe serbët që jetojnë në Kosovë duke iu thënë se “janë me ta”. (A2 Televizion)