Pengesë për anëtarësim në KiE, Kurti i jep 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit

Nga Ideal Gola
13 Mars 2024, 13:44 | Aktualitet

Kryeministri Albin Kurti njoftoi se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të regjistrojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit për të respektuar kështu vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se ky vendim është i padrejtë, por nuk do t’ia mohojë vendit anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pasi thonë se janë kushtëzuar me zbatim të tij.

“Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve na është bërë e qartë që nga shumë kushte që i kemi pasur për anëtarësim për Këshillin e Evropës disa janë konstatuar se janë plotësuar, e disa janë listuar si çështje jourgjente. Por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit”, theksoi Kurti.

Kurti deklaroi se i është bërë e qartë se ose duhet zbatuar vendimi i Kushtetueses, ose Kosova do të hiqet nga agjenda e anëtarësimit në KiE.

“Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë, në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ishte jo vetëm fitore historike por edhe një hap gjigand për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur", u shpreh kryeministri Kurti.

Kryeministri kosovar tha se shtet i konsoliduar e i barabartë në kontinentin evropian je para së gjithash duke qenë anëtar i Këshillit të Evropës.

Më 22 mars do të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit të Këshillit të Evropës, ndërsa në prill është Asambleja Parlamentare dhe në fund të majit është takimi i Këshillit të Ministrave në Këshillin e Evropës që do të vendosë për anëtarësimin e Kosovës.

“Andaj sot i kemi thënë Asgjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Pnëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërgaur notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës”, tha Kurti.

Deri më tani autoritetet lokale e qendrore të Kosovës kanë refuzuar t’ia japin pronën 24 hektarëshe Manastirit të Deçanit duke thënë se toka i përket ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë asnjëherë e Manastirit.

Kushtetuesja është akuzuar se ka legalizuar një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç të cilën ia dha pronën Manastirit të Deçanit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli