“Të mbrohemi nga sulmet”, Kosova krijon Qendrën Shtetërore për Mbrojtje Kibernetike

Nga Tomorr Avdia
12 Mars 2024, 15:11 | Aktualitet

“Të mbrohemi nga sulmet”, Kosova krijon Qendrën

Ushtria e Kosovës nuk do të mbrojë vetëm territorin e dukshëm, por edhe atë të “padukshëm”. Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përuruan qendrën shtetërore për trajnime mbi sigurinë kibernetike.

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, do të trajnohen zyrtarë të institucioneve të sigurisë për të garantuar mbrojtje në fushën kibernetike. Kryeministri Kurti nënvizoi faktin që epoka digjitale sjell sfida të mëdha, bashkë me progresin dhe zhvillimin.

“Nga sulmet kibernetike të sponzorizuara nga shtetet jodemokratike, bota ballafaqohet me situata të cilat kanë ndikim të ekonomisë të shteteve që cenojnë proceset demokratike dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe përderisa teknologjia vazhdon të përparojë, hendeku i aftësive në fushën e sigurisë kibernetike shkon duke u zgjeruar. Trajnimi dhe edukimi i vazhdueshëm i profesionistëve dhe preferuesve të teknologjisë është rruga e vetme për kapërcimin e këtij hendeku, në mënyrë që ata të pajisen me njohurit dhe mjetet që ju nevojiten për të mbrojtur në mënyrë efektive nga kërcënimet kibernetike”, u shpreh Albin Kurti.

Projekti në fjalë është mbështetur nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

“Synimi ynë është që përmes kësaj qendre të trajnojmë institucionet e sigurisë t’i bëjnë ballë çdo sulmi të kësaj natyre, qendra shtetërore trajnuese për siguri kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatoreve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale për të arritur kapacitetin për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend”, deklaroi Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes i Kosovës.

Qendra ofron trajnime për të përmirësuar aftësitë profesionale dhe kurikula përfshin një gamë të gjerë temash, 14  lloje të trajnimit, 5 prej tyre me ushtrime praktike. Dy vite më parë, qeveria e Kosovës dhe institucione të tjera, ranë pre e disa përpjekjeve për sulme kibernetike.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli