Komisioni i Pavarur i Mediave publikoi uebfaqen “Regjistri i pronësisë së mediave në Kosovë” që jep të dhëna për 257 të licencuar nga ana e KPM-së prej të cilëve 138 televizione, 84 radio dhe 35 operatorë të shpërndarjes.
Të dhënat përfshijnë që nga emri i të licencuarit, emri i biznesit apo OJQ-së, lloji i veprimtarisë, pronësia, adresa, kontaktet, data e lëshimit të licencës, ripërtritjes dhe e skadimit të licencës, mbulueshmëria, gjuha kryesore e transmetimit dhe gjuhët e tjera të transmetimit dhe detaje tjera që mund ti i interesojnë publikut për mediat e licencuara.
“Komisioni i Pavarur për Media e ka për objektiv rritjen e transparencës së të licencuarve tanë dhe kjo nënkupton që përmes kësaj databaze që e lançojmë t'i ofrojmë publikut dhe qytetarit një mundësi për qasje shumë të lehtë mbi të dhënat kryesore mbi secilin të licencuar pranë KPM”, tha Jeton Mehmeti, Komsioni i Pavarur i Mediave.
Zëvendësambasadorja e OSBE-së, Cornelia Taylor, deklaroi se ky regjistër do të ndihmojë në ngritjen e transparencës së pronësisë së mediave dhe përmirëson standardet etike dhe profesionale të medias duke ndikuar edhe në rritjen e besueshmërisë së informacionit të shpërndarë nga mediat.
“Kjo bazë të dhënash do të ndihmojë publikun të kuptojë se nga i marrin lajmet, do të jenë në gjendje të vlerësojnë pavarësinë dhe objektivitetin e mediave që ndjekin dhe mendoj se ky është një element vërtet i rëndësishëm”, u shpreh Taylor.
Po ashtu, në këtë plaftormë do të jepet edhe historiku i ndryshimit të pronësisë së medias, duke i dhënë qasje publikut edhe tek pronarët e mëparshëm. (A2 Televizion)