Vijnë kamionët ushtarakë gjermanë, Kurti: Serbia rrezikon sigurinë, por Kosova nuk ka kurrë frikë

Nga Xhevahir Qardaku
12 Mars 2024, 15:29 | Aktualitet

“Ne e kemi të qartë që fqinj jonë verior është agresiv, është nevrik, mirëpo kjo na bën të kujdesshëm, por kurrsesi të frikësuar”.

Kështu kryeministri Albin Kurti vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë, për shkak të sjelljeve agresive të Serbisë, gjë e cila vazhdon që të vendosë në rrezik mbarë rajonin.

Një reagim pati edhe për alarmin e lëshuar nga inteligjenca amerikane se në Ballkanin Perëndimor ka një rritje të rrezikut për përplasje të mundshme ndëretnike gjatë këtij viti.

“Konfliktet nuk janë ndër-etnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm në lindje të Evropës janë në rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA-ja nuk mund ta dijë askush.”

Kryeministri i Kosovës nënvizoi se ajo që mund të bëjë vendi i tij në këto kohë është që të përgatitet maksimalisht për çdo skenar. Lidhur me këtë ka ardhur një përforcim i konsiderueshëm në radhët e Ushtrisë. Forcat e Sigurisë së Kosovës morën 15 automjete ushtarake nga Gjermania.

“Pata nderin bashkë me komandantin e Sigurisë së Kosovës të shoh edhe këta 15 kamionë multifunskionalë të firmës gjermane që i kemi përfshirë tashmë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. 10 prej tyre i kemi blerë me buxhetin e shtetit, 5 janë donacion. Pra ky është partneritet që po bëjmë. Edhe marrim donacion edhe blejmë në mënyrë që integriteti territorial, sovraniteti e siguria e qytetarëve të jetë e pacenueshme.”

Qeveria Kurti e ka shndërruar në një prej prioriteteve kryesore përforcimin e kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës, pas sulmit terrorist të Banjskës dhe kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga Serbia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos