Reagimet pas njoftimit për kalimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit ishin të shumta në Prishtinë. Ndërkombëtarët nxituan të përshëndesin veprimin e Kurtit. Të gjithë ambasadorët e vendeve të QUINT-it si, shefi i Zyrës së BE-së dhe krerët e misioneve ndërkombëtare në Prishtinë si EULEX, OSBE e UNMIK përshëndetën vendimin.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, e quajti si veprim të domosdoshëm.
“Dua të theksoj sa shumë i rëndësishëm është vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit. Ishte hap i domosdoshëm, i vështirë por i domosdoshëm dhe i falënderoj institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA për Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, Kurti u kritikua nga përfaqësues politikë shqiptarë dhe historianë. Ata i kanë kujtuar kryeministrit premtimet e dikurshme se nuk do të zbatonte “vendimet e Millosheviçit”.
“Zbatimi i vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat në Deçan është sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik e kushtetues, shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ne përpjekjet tona nuk do t'i ndalim as në vijimësi për të mbrojtur këto prona dhe qysh sot ne kemi kërkuar ndihmën e juristëve dhe avokatëve më të mirë që lënda të trajtohet dhe të përgatitet për t'u dërguar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, u shpreh Shkodran Imeraj nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”.
Partitë politike nuk kanë marr qëndrime zyrtare por deputetë i kanë kujtuar Kurtit kur e kundërshtonte këtë vendim për pronat e Manastirit përmes publikimeve të tyre në rrjete sociale. (A2 Televizion)