NATO mbështet ushtrinë e Kosovës: KFOR, siguri për Ballkanin

Nga A2 CNN
14 Mars 2024, 15:38 | Aktualitet

KFOR mbështet zhvillimin profesional, demokratik dhe multietnik të strukturave të sigurisë në Kosovë. Kështu lexohet në raportin vjetor të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, të publikuar gjatë një konference për shtyp në Bruksel nga Jens Stoltenberg. Në dokument thuhet se misioni i KFOR vazhdon që të kontribuojë në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, pavarësisht sfidave të mëdha dhe tensioneve të hasura gjatë vitit 2023.

“Prezenca e NATO në Kosovë mbetet thelbësore për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.”

RAPORTI VJETOR I NATO

Në raportin vjetor të NATO-s rreshtohen dhe hapat e ndërmarrë nga aleanca e fuqishme ushtarake pas dhunës së majit dhe sulmit e armatosur të shtatorit të kaluar.

“Pas dhunës në maj dhe shtator, aleatët dislokuan rreth 1000 trupa shtesë në mision, duke ofruar përforcimin më të madh në një dekadë. Kjo i mundësoi KFOR të trefishojë numrin e patrullave dhe të katërfishojë praninë e saj në veri të Kosovës. Që nga 31 dhjetori, 27 aleatë dhe partnerë siguruan përafërsisht 4,700 trupa për misionin, duke përfshirë dhe ekipin rezervë.”

RAPORTI VJETOR I NATO

Në raport thuhet që NATO mbështet procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar atë platformën kryesore për të gjetur një zgjidhje për paqe dhe siguri të qëndrueshme, që garanton stabilitet për të gjithë rajonin. Gjithashtu aleanca thekson se po mban një nivel të lartë të dialogut politik me Serbinë për të adresuar çështje të sigurisë rajonale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos