Forca e Sigurisë së Kosovës realizoi me sukses ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”, më të madhin të realizuar ndonjëherë që përfshiu mbi 1 mijë ushtarakë në poligonin në Babaj të Bokës, në Gjakovë.
Me këtë rast, u shfrytëzuan pajisjet dhe armatimi modern i Forcës, ndërsa vetë ushtarët dëshmuan shkathtësi dhe përgatitje në aspektin e organizimit, ndërverpimit dhe taktikave luftarake.
Skenari i ushtrimit ishte i njëjtë me atë të Banjskës, të ndodhur një vit më parë në veri të Kosovës. Me ndryshimin e vetëm që grupi tashmë kishte depërtuar në jug-perëndim të vendit në afërsi në Babaj të Bokës dhe policia nuk kishte mundësi të mbante situatën nën kontroll.
Rreth 100 pjesëtarë të grupit terrorist që kishin hyrë në zonën e Gjakovës kishin depërtuar përmes rrugëve tokësore, ishin mirë të armatosur dhe të trajnuar, ndërsa kishin mbështetjen edhe të një grupi të banorëve lokale.
Qëllim i këtij grupi ishte influencimi i popullatës vendase që të bashkëpunojë me ta dhe të merret nën kontroll zona, minimi i organeve të sigurisë me qëllim që në të ardhmen lokacioni të përdoret për rrugë ilegale për kalim në shtete fqinje.
Operacioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës filloi me ekipin e snajperëve, të cilët si objektiv kishin eliminimin në distancë të liderëve kyç të grupit armik. Vetëm pasi snajperët përfundojnë me sukses operacionin, regjimenti fillon me shkatërrimin e pajisjeve të grupit përmes pajisjes Harr 66, me rreze veprimi deri në 200 metra. Po ashtu, për shkatërrimin e një ure u përdoren edhe mortaja me rreze veprimi 7, 5 dhe 3 kilometra.
Kompania, e ndarë në ekipe dhe togje, që po kryente operacionin e mbrojtjes, shfrytëzoi të gjithë sistemin e armatimit, me 10 lloje dhe kalibra të ndryshëm. Vetëqëndrueshmëria e tyre në terren apo operacione është 72 orë pa mbështetje nga njësitë e tjera.
Pasi u konfirmua se forcat armike janë ndaluar, ftohen kompania tjetër me mjete të blinduara në mënyrë që të kryhet edhe manovra e kundërsulmit.
Një nga mjetet e blinduara të konvojit të Forcës së Sigurisë gjatë lëvizjes sulmohet dhe për pasojë ushtarët plagosen dhe mjeti dëmtohet, për çka kërkohet mbështetje për personelin dhe tërheqjen e mjetit.
Ushtarët e FSK-së avancojnë me të gjitha njësitë deri në marrjen nën kontroll të të gjithë zonës që shënon edhe fundin e ushtrimit.
E gjithë stërvitja u ndoq nga afër nga Presidentja Vjosa Osmani, si komandante supreme, komandati i FSK-së, Bashkim Jashari, dhe përfaqësues të KFOR-it. Presidentja Osmani tha se me demonstrimin e FSK-së u dëshmua se pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror mbrohen nga një ushtri shumë e aftë: “Me operacionet sulmuese gjatë këtij ushtrimi ju shfaqët shkathtësinë dhe guximin që kërkohet për ta tejkaluar çdo kërcënim. Me operacionet tuaja mbrojtëse ju treguat se përballë çfarëdo rreziku nuk lëkundeni, por përkundrazi qëndroni fuqishëm e bashkërisht”.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ushtrimi përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si një tregues i qartë i përkushtimit, guximit dhe profesionalizimit të ushtrisë: “Dëshmuat në provë shkathtësitë operacionale, strategjitë dhe taktikat luftarake për të qenë të gatshëm dhe të aftë të mbrohet paqja dhe liria, e cila është arritur me aq shumë gjak dhe djersë. Po ashtu, edhe të garantojmë që e kaluara jonë e dhimbshme nuk do të na përsëritet më asnjëherë”.
Ushtarët mbanin motivin lart me këngë patriotike me flamuj kombëtarë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (A2 Televizion)