A do të dorëhiqet Rama? Flet deputetja socialiste: Na kanë votuar qytetarët, do të qëndrojmë deri në 2029

Nga A2 CNN
22 Qershor 2026, 22:58 | Politikë

Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, komentoi kërkesat e protestuesve, duke theksuar se pika e parë, dorëheqja e Edi Ramës, nuk mund të plotësohet.

“Ne jemi në një shtet demokratik dhe mënyra se si partitë politike marrin të drejtën për të qeverisur vendin është e mirëpërcaktuar dhe është ajo e të drejtës së votës. Kështu që, qytetarët shqiptarë i kanë besuar Partisë Socialiste për të drejtuar vendin në këtë mandat me një votë masive si asnjëherë më parë dhe ne do t’i qëndrojmë kontratës së lidhur me këta qytetarë deri në vitin 2029, duke përmbushur premtimet ndaj tyre”, tha Bylykbashi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Por, dua të them që jemi gjithmonë të hapur dhe të gatshëm me atë pjesë të qytetarëve që ka shqetësime reale në raport me transparencën apo mjedisin. Megjithatë, dua të them që kjo protestë ka derivuar nga kërkesat e saj parësore, por kërkesa për dorëheqje, personalisht nuk më duket e drejtë sepse demokracia është numra dhe për momentin numrat janë në favor të qeverisjes aktuale”, shtoi deputetja socialiste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos