Enkelejd Alibeaj, nga “Djathtas 1912”, u shpreh se Edi Rama dhe Sali Berisha “e kanë trajtuar popullin si dele”.
“Jam plotësisht dakord që lëvizjet sociale dhe politike në një vend nuk duhet të bëhen pengesë për avancimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Si e shoh unë këtë protestë? Unë këtë e shoh si një lëvizje e cila na bën europianë. Kjo ishte pjesa e “puzzle” që na kishte munguar, se ishim një shoqëri në letargji, një tufë delesh, ku lojërat që bënte Rama dhe Berisha do duhet t'i pësonin gjithë të tjerët. Ishte e vetmja gjë që i mungonte kësaj shoqërie, për t’u treguar vërtetë europianë”, tha Alibeaj në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Unë kam katër apo pesë vite që kam thënë pikërisht këtë gjë, se kam qenë një nga njerëzit që kam demaskuar pazaret që bënin njëri me tjetrin, si me amnistinë fiskale. U desh të ndodhnin kaq shumë episode: të luftonin SPAK-un, të bënin pazare për Kodin Zgjedhor, të bënin pazare me amnistinë fiskale... Sali Berisha me Edi Ramën e kanë trajtuar popullin si dele. Mund të bëjmë gjithçka se këta nuk zgjohen, thonin. Fakti që kanë dalë në rrugë njerëzit, tregon që nuk jemi dele. Pak me vonesë, por më mirë vonë se kurrë”, shtoi Alibeaj. (A2 Televizion)